Njoftime për Shtyp

Prokurorit të Përgjithshëm iu përcollën Rekomandimet Prioritare të Këshillit të Ministrave për Luftën Kundër Kriminalitetit për vitin 2018

Prokurorit të Përgjithshëm iu përcollën Rekomandimet Prioritare të Këshillit të Ministrave për Luftën Kundër Kriminalitetit për vitin 2018

Prokurorit të Përgjithshëm znj.Arta Marku, iu përcollën nga ministri i Drejtësisë znj.Etilda Gjonaj, Rekomandimet Prioritare të Këshillit të Ministrave për Prokurorin e Përgjithshëm në Luftën Kundër Kriminalitetit për vitin 2018.

Mbledhja e përbashkët u organizua në mbështetje të nenit 103 “Marrëdhëniet me Këshillin e Ministrave”, të ligjit Nr. 97/2016 datë 6.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”:

1. Këshilli i Ministrave, jo më vonë se data 31 mars e çdo viti, miraton dhe i përcjell Prokurorit të Përgjithshëm rekomandimet prioritare që duhen ndjekur për vitin në vazhdim në luftën kundër kriminalitetit.

2. Rekomandimet miratohen në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Rekomandimet duhet të përmbajnë edhe informacion mbi ndryshimet e buxhetit që janë të nevojshme për realizimin e tyre.

3. Ministri i Drejtësisë ua bën të njohura rekomandimet e Këshillit të Ministrave drejtuesve të prokurorive të të gjitha shkallëve në një mbledhje të përbashkët, jo më vonë se një muaj nga data e miratimit të tyre nga Këshilli i Ministrave.

Në takimin e zhvilluar në Prokurorinë e Përgjithshme nën drejtimin e znj.Marku, mbledhja vazhdoi me drejtuesit e prokurorive të Rretheve Gjyqësorë, të Prokurorive të Apelit dhe me drejtorët në Prokurorinë e Përgjithshme.