Njoftime për Shtyp

Raportet Prokurori-OJQ, të bazohen në korrektesë të ndërsjelltë

Prokuroria e Përgjithshme saktëson disa të dhëna të prezantuara nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit lidhur me aktivitetin e institucionit
 
Përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme kanë qenë pjesë e diskutimeve në tryezën e organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) ditën e enjte (30.01.2014), në të cilën ky organizëm ka prezantuar disa gjetje mbi aktivitetin e prokurorisë në përgjithësi, dhe prokurorive të rretheve Gjyqësor Tiranë dhe Durrës për statistika të caktuara.
Në këtë tryezë janë shkëmbyer ide dhe mendime mbi mënyrën e bashkëpunimit ndërmjet organit të prokurorisë dhe organizatave joqeveritare, të cilat shprehin interes për mirëfunksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri.
Gjithësesi, në prezantimin e gjetjeve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme konstatuan disa pasaktësi, të cilat nuk prezantojnë aktivitetin real të punës së institucionit.
Statistikat e prezantuara në këtë raport i përkasin kampionëve të veçantë të shtrira përgjatë periudha të shkëputura në vitin 2011 dhe 2012. Pra, këto shifra nuk japin një panoramë të saktë mbi aktivitetin real të institucionit të prokurorisë, pasi janë të shkëputura nga konteksti i plotë. Për më tepër, në shifrat e prezantuara nuk janë të pasqyruara të dhëna mbi ecurinë e mëtejshme të tyre (pra, nëse ka patur shfuqizime, ankimime, etj.)
Po ashtu, raporti i KSHH ka nxjerrë si konkluzion që, për periudhën mbi të cilat I janë dhënë zyrtarisht të dhëna nga prokuroria, nuk ka asnjë rast shfuqizimi të vendimeve të prokurorive të rretheve gjyqësore nga prokurorët më të lartë.
Ky konstatim nuk është i saktë dhe për këtë, të dhënat gjenden të plota dhe zyrtare në raportin e prokurorisë dorëzuar Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2011 dhe 2012.
KSHH konstaton gjithashtu se vendimet e mosfillimit apo të pushimit nga ana e prokurorisë, në shumë raste, nuk u bëhen të ditur palëve të interesuara. Nga ana tjetër, po në këtë raport thuhet se për vendime mosfillimi ka pasur ankime dhe shqyrtime gjyqësore. Pra, nisur nga vetë këto të dhëna, dallohet qartë se vendimet e mosfillimit apo të pushimit nga ana e prokurorisë u janë njoftuar palëve, të cilat më pas kanë ushtruar të drejtën e tyre të ankimit në gjykatë.
Një tjetër çështje, për të cilën KSHH e vlerëson si shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, është fakti që personat e papërgjegjshëm, të dënuar për vepra penale, qëndrojnë në të njëjtën ambjente me të burgosur të tjerë. Në fakt, persona të papërgjegjshëm sipas ekspertizës mjeko-ligjore, të përfshirë në vepra penale, qëndrojnë në ambjentet e spitalit të burgut dhe jo në ambjentet e vuajtjes së dënimit me të burgosur të tjerë. Ajo që edhe prokuroria ka kërkuar për shumë vite, dhe që në këtë pikë është dakord me KSHH, është fakti që kjo kategori personash duhet të qëndrojnë në ambjente të posaçme për ta. Personat e papërgjegjshëm që kanë kryer vepra të ndryshme penale, ndaj të cilëve gjykata ka vendosur masë mjeksore “mjekim të detyruar” në një institucion mjeksor janë dërguar për ruajtje dhe trajtim mjeksor në Spitalin e Burgut Tiranë. Për shkak të rrezikshmërisë shoqërore që paraqesin dhe nevojës për ruajtje në ambiente me kushte te posaçme sigurie dhe nga Policia e Shtetit, nuk garantohet ruajtja e tyre në spitalet psikiatrike.
Prokuroria e Përgjithshme e ka ngritur  disa herë këtë problem pranë organeve më të lartë të administratës shtetërore si Këshilli i Ministrave, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetsisë me qëllim që t’i jepet një zgjidhje përfundimtare këtij problemi.
Prokuroria Shqiptare është e hapur me çdo institucion apo organizëm joqeveritar që synon bashkëpunimin në kuadër të forcimit të ligjit dhe institucioneve shqiptare. Ky sqarim është pikërisht në vijimësi të këtij bashkëpunimi.

30.01.2014