Njoftime për Shtyp

Reforma në drejtësi të shoqërohet me forcimin e legjislacionit penal

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në fjalën e tij në takimin e organizuar nga Presidenti i Republikës, “Reforma në Drejtësi”, thekson nevojën e ndryshimit të kuadrit ligjor penal, krahas ndryshimeve strukturore në institucionet e drejtësisë, si edhe rritjen e pavarësisë së tyre.


Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, vlerëson se reforma në institucionet e drejtësisë duhet domosdoshmërisht të shoqërohet me ndryshimet e nevojshme në ligjin procedurial penal dhe në ligje të tjera. Për z. Llalla, “ky kombinim do të lehtësojë aplikimin në praktikë të amendimeve që na përafrojnë me legjislacionin perëndimor”.

Prokurori i Përgjithshëm e prezantoi këtë qëndrin në Konferencën “Reformimi i Sistemit Gjyqësor në Shqipëri”, organizuar nga Presidenti i Republikës, SH.T.Z Bujar Nishani.
Z. Llalla ishte pjesë e Panelit të Parë të diskutimeve, i cili u hap me fjalën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjori.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Prokurori i Përgjithshëm përmendi gjithashtu propozimet e paraqitura nga institucioni lidhur me rritjen e pavarësisë dhe kontrollit të brendshëm.

Më poshtë është fjala e plotë e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla

I nderuar Kryetar i Gjykatës së Lartë
Të nderuar të pranishëm,

Ju faleminderit për ftesën në këtë panel shumë të rëndësishëm. Reforma në drejtësi është një moment kyç për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri.
Fakti që të gjithë institucionet janë angazhuar ditën e sotme për të diskutuar dëshmon seriozitetin tonë për diskutimin mbi këtë temë.
Për Prokurorinë Shqiptare, reforma në radhë të parë do të thotë pavarësi e institucioneve ligjzbatuese dhe integritet të lartë profesional dhe moral.

Institucioni i prokurorisë ka gjetur mbështetjen dhe inkurajimin e partnerëve vendas dhe ndërkombëtarë për forcimin e kontrollit të brendshëm. Kjo është një masë shumë e rëndësishme për rritjen cilësore dhe sasiore të ndjekjes penale në Shqipëri. Nga ana tjetër, kjo masë është edhe rritje e llogaridhënies së trupës së prokurorëve përballë ligjit, strukturave eprore dhe publikut.
Në këndvështrimin e Prokurorisë së Përgjithshme, reforma në institucionet e drejtësisë duhet domosdoshmërisht të shoqërohet me ndryshimet e nevojshme në ligjin procedurial penal dhe në ligje të tjera. Ky kombinim do të lehtësojë aplikimin në praktikë të amendimeve që na përafrojnë me legjislacionin perëndimor.

Prokuroria Shqiptare, nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm me institucionet e tjera, përfshirë edhe Kuvendin e Shqipërisë e Ministrinë e Drejtësisë, ka paraqitur disa propozime për përmirësimin e kuadrit ligjor në këtë drejtim. Natyrisht, është një reformë gjithëpërfshirëse dhe kërkon angazhimin e të gjitha strukturave ligjzbatuese në vendin tonë.

Në kuadër të reformës në drejtësi, Prokuroria e Përgjithshme synon përmirësimin e disa aspekteve teknike, të cilat ndikojnë drejtëpërdrejtë në efektivitetin e punës.
Nga ana tjetër, Prokuroria e sheh me interes forcimin e rolit të Këshillit të Prokurorisë. Ky organizëm duhet të ketë në vijim një rol më të rëndësishëm në promovimin e vlerave institucionale.

Të nderuar të pranishëm,
Takimi i sotëm është forma e duhur për shprehjen e vullnetit të mirë për të bashkëpunuar në reformimin e sistemit të drejtësisë. Natyrisht, nuk është këtu vendi për të paraqitur në mënyrë të detajuar propozimet për forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Kjo është një detyrim për çdo institucion që të dëshmojë angazhim të lartë në periudhën në vijim për të kontribuuar me elementë konkretë.
Sot ne jemi për të deklaruar me përgjegjësi se reformën në drejtësi mund dhe duhet ta realizojmë të gjithë bashkë.

Ju faleminderit!

 

Data 06.10.2014