Njoftime për Shtyp

Rekomandimet e Komisionit Europian, prioritete të prokurorisë shqiptare

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në konferencën “Mbi një strukturë efektive në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri”, organizuar  nga Qeveria Shqiptare dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri

Të nderuar pjesëmarrës,
Shqipëria tashmë është në një fazë shumë të rëndësishme drejt Bashkimit Evropian. Ky stad, përveçse është një hap i madh për shoqërinë shqiptare, është edhe një përgjegjësi akoma më e madhe për institucionet publike.
Në takimet e këtyre ditëve është theksuar gjithnjë e më shumë rëndësia që ka lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në integrimin e vendit tonë në strukturat europiane. Nga ana e saj, prokuroria shqiptare është e vetëdijshme për misionin e saj në këtë sfidë madhore.
Gjithashtu, është për t’u vlerësuar fakti se faktori politik shqiptar po dëshmon gjithnjë e më shumë vullnet për të mbështetur aktivitetin e prokurorisë në luftën kundër korrupsionit. Në mbështetje të këtij argumenti mund t’ju sjell në vëmendje qëndrimin korrekt kushtetues që kanë prezantuar forcat politike parlamentare ndaj disa nismave hetimore që kanë ndërmarrë kohët e fundit prokuroria. Kjo dëshmon qartë se Shqipëria, institucionet e saj publike dhe shoqëria në përgjithësi, janë të gatshme të përmbushin prioritetet e e përcaktuara prej partnerëve ndërkombëtarë.
Organi i prokurorisë është fokusuar në forcimin e konceptit të barazisë para ligjit të çdo shtetasi, pavarësisht nga pozicioni në shoqëri. Për të pasur sukses në këtë sfidë të rëndësishme, e cila nuk mund dhe nuk duhet të përballohet nga një institucion i vetëm, kryefjalë është bashkëpunimi ndërinstitucional. Dhe në këtë drejtim, institucionet shqiptare po vijojnë të japin shenja të rëndësishme pozitive.
Vetëm dy ditë më parë, së bashku me Ministrinë e Brendshme dhe Shërbimin Informativ Shtetëror, prokuroria nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi për të koordinuar plotësisht luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo marrëveshje, e cila në terren ka nisur kohë më parë dhe ka dhënë frytet e saj, do të japë rezultate të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit. Këtë e me shpreh me bindje të plotë, nisur nga fakti se hetime të tjera në këtë kuadër po zhvillohen dhe do të zhvillohen.
Një theks të veçantë në hetimin e çështjeve të korrupsionit kanë marrë hetimet proaktive, krahas policisë së shtetit, edhe me përfshirjen e administratës tatimore, doganore, por edhe institucione si Kontrolli i Lartë i Shtetit, etj. Prokuroria, si organi i vetëm i përcaktuar me ligj për ndjekjen e hetimit, ka forcuar ndjeshëm rolin e tij koordinues në ndjekjen e rasteve të dyshuara korruptive. Ky bashkëpunim ka sjell si rezultat rritjen cilësore dhe sasiore të hetimeve.
Koordinimi ndërinstitucional është i shtrirë edhe në luftën kundër krimit të organizuar.  Gjatë muajve të fundit, në kuadër të operacioneve ndërkombëtare, organet shqiptare të drejtësisë kanë ofruar kontributin e tyre të rëndësishëm, në disa raste edhe vendimtarë, për suksesin e aksioneve. Rezultatet pozitive kanë ndikuar në forcimin e imazhit të institucioneve shqiptare, duke shtuar në këtë mënyrë shkëmbimin e informacionit për shtetas shqiptarë të përfshirë në trafiqe të paligjshme, sidomos atij të lëndëve narkotike.
Gjithësesi, shprehim bindjen se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë sfida që shtrihen në kohë dhe kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Me të drejtë, në rekomandimet e Komisionit Evropian për Shqipërinë theksi vihet, krahas të tjerave, në këto dy aspekte shumë të rëndësishme, të cilat lidhen në mënyrë të drejtëpërdrejtë me forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri.
Ne jemi të vetëdijshëm se,:
Së pari, jemi një vend me demokraci të re dhe për këtë do të na duhet të punojmë fort për forcimin e etikës në administratën publike, ku përfshihet edhe lufta kundër korrupsionit.
Së dyti pozita jonë gjeografike, si një ndërthurje e rrugëve të rëndësishme Lindje-Perëndim, na shndërron në një territor vulnerabël për kalimin e trafiqeve të paligjshme.
Por, pikërisht, për këto dy arsye, ne duhet të jemi të vendosur që të bëjmë maksimumin për zbatimin e ligjit në vendin tonë. Sot kemi një përgjegjësi shumë të madhe para qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Besoj se të gjithë bashkë do të dëshmojmë lartësinë e duhur për të përmbushur aspiratat tona kombëtare.
Ju faleminderit

Data: 13.11.2013