Njoftime për Shtyp

Rritje e kapaciteteve të prokurorisë në mbrojtje të viktimave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinorë 

Tiranë, 10 dhjetor 2021. Rritja e efikasitetit në hetimin e veprave penale të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore është prioritet i punës së prokurorisë. Në përfundim të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, në mjediset e Prokurorisë së Përgjithshme u zhvillua takimi prezantues i projektit 3-vjecar, “Angazhim Proaktiv për mbrojtjen dhe zbatimin e ligjit kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje”, i cili zbatohet nga Qendra për Nisma Ligjore Qytetare me mbështetjen e Ambasadës Hollandeze. 

Të pranishëm në ceremoninë e organizuar ishin Prokurori I Përgjithshëm Olsian Çela dhe Ambasadori i Hollandës Reinout Vos, të cilët vlerësuan nismën dhe ofruan mbështetjen maksimale për zbatimin me sukses të këtij projekti. 
Bashkëpunimi me shoqërinë civile për të luftuar fenomenin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore vjen në një moment, kur prokuroria ka intensifikuar përpjekjet dhe masat për të luftuar këtë fenomen dhe si një përgjigje ndaj thirrjes së Prokurorit të Përgjithshëm për angazhimin e të gjithë aktorëve dhe rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional drejt një strategjie të përbashkët dhe shumëplanëshe. 

Projekti synon të rrisë kapacitetet e prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore dhe koordinatorëve për subjektet me status të veçantë, në përputhje me standardet ndërkombëtare për rastet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, duke u përqendruar tek trajtimi i viktimave, si dhe do të synojë përmirësimin e mbledhjes dhe administrimit të të dhënave për këto vepra penale. 

Projekti do të bashkëpunoje me ekspertët më të mirë të Shkollës së Magjistraturës dhe Akademisë Gjyqësore Hollandeze dhe Komitetit Hollandez të Helsinkit. Parashikohen aktivitete specifike për rritjen e nivelit të informimit dhe ndërgjegjësimit të komunitetit mbi fenomenin dhe të drejtat ligjore të viktimave të dhunës në familje.

Më herët Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela zhvilloi një takim me Ambasadorin e Hollandës Reinout Vos dhe Koordinatorin Rajonal për Shtetin e së Drejtës Bart De Bruijn. Temë e diskutimeve ishte ecuria e  reformës në drejtësi si dhe forcimi I bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare të drejtësisë dhe atyre hollandeze. Ambasadori Hollandez vlerësoi prokurorinë shqiptare për caktimin e Prokurorit Ndërlidhës në Eurojust, hap i cili i shërben forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën penale mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera anëtare të kesaj agjencie.