Njoftime për Shtyp

Shkelje në prokurim publik, “arrest me burg” për kryetarin e Bashkisë Kamëz

Pas hetimit 2-mujor të Prokurorisë së Tiranës, dyshohet se drejtuesi lokal ka shpallur fitues të një tenderi rruge një subjekt privat në mënyrë të kundërligjshme
 
 
Me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, gjykata ka vendosur masën e “arrestit me burg” për shtetasin Xhelal Mziu, me detyrë Kryetar i Bashkisë Kamëz dhe një tjetër zyrtar të institucionit, aktualisht i shpallur në kërkim, të dy të akuzuar për “shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.
 
Nga hetimi, i nisur në Shtator 2013, prokuroria ka arritur në konkluzionin se dy shtetasit kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë procedurës së prokurimit publik për ndërtimin e rrugës “Valias i Ri-Varrezat Laknas. Sipas hetimeve, ka rezultuar se autoriteti kontraktor, Bashkia Kamëz, pas përfundimit të plotë të procedurave, ka shpallur fitues shoqërinë “Gj….Konstruksion” sh.p.k.
 
Megjithatë, sipas hetimit, dy zyrtarët, nuk kanë pranuar të nënshkruajnë kontratën me këtë shoqëri brenda afatit ligjor (30 ditë). Në përfundim të këtij afati, autoriteti kontraktor-Bashkia Kamëz, e ka skualifikuar shoqërinë “Gj…Konstruksion” sh.p.k, me arsyen se nuk ishte paraqitur për nënshkrimin e kontratës. Ndërkohë, rezulton se shoqëria fituese ka bërë të gjitha përpjekjet nga ana e saj për të realizuar nënshkrimin e kësaj kontrate për ndërtimin e rrugës, por që është refuzuar nëpërmjet formave të ndryshme nga ana e titullarëve të autoritetit kontraktor-Bashkia Kamëz.
 
Nisur nga neglizhenca e zyrtarëve të bashkisë Kamëz, përfaqësuesi i shoqërisë  “Gj…Konstruksion” sh.p.k ka kryer vëzhgime në terren dhe ka konstatuar se. në rrugën objekt prokurorimi publik kishte nisur punimet për ndërtimin e saj nga ana e një shoqërie tjetër, “E….”sh.p.k, e cila nuk ishte shpallur fituese.
 
Në këto kushte, shoqëria “Gj…Konstruksion” ka dorëzuar kallëzimin penal, nga hetimi i të cilit, prokuroria ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Xhelal Mziu dhe zyrtari tjetër, kanë kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

20.12.2013