Njoftime për Shtyp

Shqipëria, aleancë me demokracitë e zhvilluara për luftën kundër krimit ndërkombëtar

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në Konferencën
“Ligji dhe Praktika e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Ndikimi dhe Ndryshimet”

I nderuar Ministër i Drejtësisë, z. Halimi
I nderuar profesor Basiuni
I nderuar Ambasador i Republikës së Italisë, z. Massimo Gaiani
Të nderuar drejtues të Universitetit të Tiranës dhe Fakultetit të Drejtësisë
Të nderuar kolegë dhe miq

Rreth 10 vjet më parë, Shqipëria ratifikoi Statutin e Romës dhe në këtë mënyrë u bë anëtar i me të drejta të plota i tërësisë së shteteve që pranojnë legjitimitetin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Kjo ishte një arritje shumë e madhe në planin global dhe ishte fryt i angazhimit edhe të profesor Sherif Basiuni, i cili ndodhet sot këtu me ne.

Shqipëria është e angazhuar maksimalisht në çështje që prekin rendin dhe sigurinë globale. Institucionet shqiptare kanë ofruar bashkëpunimin e tyre me agjenci homologe për të vendosur para drejtësisë persona që kanë shkelur norma kombëtare apo të njohura ndërkombëtarisht.

Aktualisht, vendi ynë nuk ka në zhvillim hetime për persona të dyshuar apo të kërkuar, të cilët janë në juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Por, natyrisht, nëse do të paraqiten raste të tilla, institucionet shqiptare do të ofrojnë kontributin e tyre maksimal. Dhe kjo, jo vetëm si rrjedhojë e detyrimeve që rrjedhin nga Statuti i Romës, por më shumë se Shqipëria gjithnjë ka dëshmuar se është në anën e drejtësisë dhe ligjit.

Fakti që nuk ekzistojnë dyshime se në Shqipëri fshihen persona që kërkohen nga Gjykata Ndërkombëtare Penale është gjithashtu një dëshmi se vendi ynë nuk ka qenë dhe vijon të mos jetë në listën e shteteve që ofrojnë mbrojtje për elementë kriminalë ndërkombëtarë.

Natyrisht kjo është një arritje shumë e madhe për Shqipërinë, e cila konsolidimin e historisë së drejtësisë demokratike e ka nisur pak më shumë se 20 vite më parë. Por, është gjithashtu edhe një sukses për shtetin shqiptar që ka zgjedhur të jetë në aleancë me shtetet më të zhvilluara perëndimore, në aleancë me ato forca që synojnë dhe luftojnë për drejtësinë në mbarë globin.

Ju faleminderit!

Data: 25.03.2013