Njoftime për Shtyp

Shqipëria dhe Kosova priren të shtojnë bashkëpunimin në luftë kundër krimit të organizuar

Kryeprokurorja znj.Arta Marku bisedoi me të Ngarkuarin me Punë në Ambasadës së Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini

Shqipëria dhe Kosova priren të shtojnë bashkëpunimin në luftë kundër krimit të organizuar dhe zgjidhjen e problematikave që dalin në një kohë të lëvizjes së lirë të shtetasve në të dy vendet.

Kjo ishte temë e bisedës në takimin e kortezisë mes Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, znj.Arta Marku dhe z.Sylë Ukshini, i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë.
Zonja Marku theksoi se e çmonte shumë bashkërendimin e punës me Republikën e Kosovës, duke i dhënë përparësi çdo problematike të adresuar nga autoritetet përkatëse.

Kryeprokurorja Marku theksoi gjithashtu se në Shqipëri përparësi madhore ka zbatimi sa më i mirë dhe efikas i Reformës në Drejtësi dhe veçanërisht rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve, procesi i “Vetting”-ut.

“Vetting”-u është shumë i rëndësishëm, - theksoi Prokurorja e Përgjithshme Marku, - për të përfunduar sa më shpejt me listën përparësore të gjyqtarëve, prokurorëve dhe inspektorëve të drejtësisë që do të hapë rrugën e krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor”.

Prokurorja e Përgjithshme shtoi gjithashtu se në luftën kundër veprave që përfshihen në krimin e organizuar, janë në fuqi marrëveshje të ndryshme, si dhe e miratuara së fundmi me ministrinë e Brendshme, për krijimin e grupeve të posaçme në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” me prokurorë që caktohen pas verifikimit nga institucionet.
Z.Ukshini shpjegoi ndërkaq se sistemi i drejtësisë në Kosovë është ndërthurje e praktikave ligjore më të mira ndërkombëtare.