Njoftime për Shtyp
Skemë mashtrimi me rimbursimin e ilaçeve
Të paktën 9 persona, 4 prej të cilëve zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, dhe 5 drejtues farmacie në kryeqytet, janë evidentuar deri në këtë fazë të hetimit si të dyshuar për krijimin e një skeme të madhe mashtrimi me rimbursimin e medikamenteve, e cila, në bazë të një vlerësimi paraprak, i ka shkaktuar shtetit një dëm rreth 56 milionë lekë të reja.
Ndërkohë që hetimi po vijon edhe për persona të tjerë të përfshirë, Prokuroria e Tiranës, Njësia Task Force, ka nxjerë urdhërat e ndalimit për 9 shtetasit, të cilat janë zbatuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin për këtë rast për veprat penale të “Mashtrimi me subvencione”, “Fallsifikimit të dokumentave shëndetësorë”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, dhe “Shpërdorimit të detyrës” në datë 22.05.2015, bazuar në informacionin e ardhur nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH).
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se disa punonjës të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, në kundërshtim me ligjin, u kanë dhënë disa farmacive të drejtën e përfitimit nga rimbursimi i medikamenteve.
Nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se gjatë periudhës shtator 2014 – mars 2015, këto farmaci kanë përfituar në mënyrë të kundraligjshme një shumë totale rimbursimi nga shteti në vlerën 55.941.901 lekë. Nga hetimi i Prokurorisë Tiranë rezulton se barnat, çmimet e të cilave janë rimbursuar, kanë qenë kryesisht për kurimin e sëmundjeve tumorale.
Janë kryer veprime hetimore mbi recetat mjekësore, të cilat kanë shërbyer për farmacitë që të japin klientëve medikamente të rimbursueshme. Nga këto veprime rezulton se mjekët, recetat e të cilëve kanë qenë objekt verifikimi, janë të fallsifikuara.
Në vijim të hetimit, ka rezultuar se punonjësit e Drejtorisë Rajonale të (FSDKSH) Tiranë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, me dashje, në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës, kanë mundësuar që farmacitë të përfitojnë padrejtësisht. Këta punonjës kanë mundësuar lidhjen e kontratave me këto farmaci, në kushtet kur farmacitë nuk kanë përmbushur kriteret e kërkuara nga ligji dhe aktet nënligjore në fuqi.
Në këto rrethana, prokuroria ka vendosur ndalimin për shtetasit si më poshtë:
1.
P. Xhuvani, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Fondit, Tiranë(gjykata ka vendosur “arrest në burg”)
2.
E. Mara, Juriste pranë Drejtorisë Rajonale të Fondit (gjykata ka vendosur “arrest në shtëpi”)
3.
K.Mahmutaj, Punonjëse pranë Drejtoria Rajonale e Fondit (gjykata ka vendosur “arrest në shtëpi”)
4.
F. Lamçe, Punonjëse pranë Drejtoria Rajonale e Fondit (gjykata ka vendosur “arrest në shtëpi”)
5.
H. Roci. Administrator i Farmacisë, Lundër (gjykata ka vendosur “arrest në burg”)
6.
M. Tufi, Drejtuese teknike e farmacisë Lundër (gjykata ka vendosur “detyrim për paraqitje”)
7.
N.Thanasi, Drejtues Teknik i farmacisë “Nutrimed” (gjykata ka vendosur “detyrim për paraqitje”)
8.
A. Spahiu, Drejtues Teknik i farmacisë Bërzhitë (gjykata ka vendosur “detyrim për paraqitje”)
9.
A. Manaj, Drejtuese Teknike e farmacisë “Adelina” (gjykata ka vendosur “detyrim për paraqitje”)
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet për të evidentuar bashkëpunëtorët e mundshëm në këtë skemë mashtrimi me rimbursimin e medikamenteve mjekësore.