Njoftime për Shtyp

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela në konferencën “Forcimi i drejtësisë penale përmes bashkëpunimit të ngushtë të institucioneve të drejtësisë”

Tiranë, 7 korrik 2021. Është tashmë e qartë se zbatimi i ligjeve të reja të reformës paraqet sfida që duhen kaluar së pari përmes bashkërendimit të veprimtarive institucionale. Me këtë frymë, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, në përmbushje të detyrimeve të saj kushtetuese dhe ligjore, janë ndjekur hap pas hapi çështjet që lidhen me zbatimin e ligjeve të reja që lidhen me funksionimin e prokurorisë si dhe është synuar që tërësia e tyre të  përballohet përmes një angazhimi shumëplanësh, që ka konsistuar në dhënien e kontributit konkret në drejtim të koordinimit institucional, rritjen e transparencës ndaj publikut për mënyrën e funksionimit të institucionit si dhe bashkërendimin me organet e tjera kushtetuese për gjetjen e zgjidhjeve ligjore në funksion të interesit publik.  

Në vitin 2020 nga ana jonë u parashtrua vizioni strategjik për realizimin e disa objektivave  që konsistonin në :
1-    Sigurimin e mirëfunksionimit të zyrave të prokurorisë, përmes monitorimit të punës në drejtim të zbatimit të ligjshmërisë, garantimit të respektimit të pavarësisë së prokurorëve dhe rritjes së përgjegjshmërisë e respektimit të të drejtave të subjekteve të procedimit penal
2-    Standartizimin e procedurave të operimit në pikëpamje administrative dhe procedurale brenda zyrave të prokurorisë në funksion të organizimit të ri kushtetues dhe ligjor, me qëllim funksionimin normal të tyre, 
3-    Garantimin e zbatimit të ligjshmërisë, duke vënë theksin në rritjen e efiçensës së ndjekjes penale në drejtim të veprave penale që lidhen pastrimin e produkteve të veprës penale dhe konfiskimin e aseteve kriminale
4-    Mirëadministrimin e procesit të hetimit, që nga faza e regjistrimit të veprës penale dhe deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes, me qëllim uljen e kohëzgjatjes së hetimeve dhe optimizimin e produktivitetit

Në këtë kuadër, janë ndërmarrë një sërë masash për realizimin e sa më sipër. Dua të veçoj këtu udhëzimin “Mbi rregullimin e marrëdhënieve mes prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë, informimin, transparencën dhe garantimin e pavarësisë, në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm”.  Qëllimi i tij është garantimi i pavarësisë dhe autonomisë së prokurorit në ushtrimin e funksioneve procedurale në raport me detyrueshmërinë e ndjekjes penale, përcaktimi i raporteve prokuror - prokuror më i lartë, si dhe mënyra e informimit në të gjitha hallkat dhe nivelet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm.

Risi në strukturën e re është dhe krijimi i strukturave koordinuese dhe monitoruese në Prokurorinë e Përgjithshme. Funksionet e tyre janë përcaktuese në drejtim të zbatimit të ligjshmërisë, garantimit të respektimit të pavarësisë së prokurorëve dhe rritjes së përgjegjshmërisë, respektimin e etikës, shmangien e konfliktit të interesit dhe respektimit të të drejtave të subjekteve të procedimit penal. 

Në këtë kuadër, bashkëpunimi me ILD në procesin disiplinor dhe inspektimin e prokurorive është i një rëndësie të veçantë, për realizimin e funksioneve dhe përgjegjësive kushtetuese e ligjore, bazuar në parimet e pavarësisë, llogaridhënies, transparencës dhe të efiçencës së sistemit të drejtësisë. Vullneti i të dy institucioneve për të ngritur më tej këtë bashkëpunim dhe për të vendosur kontakte të drejtëpërdrejta për shkëmbimin e informacionit është objekt i marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në datë 05.02.2021. Nga fillimi i funksionimit të institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, në Shkurt 2020,  është kërkuar nga Prokurori I Përgjithshëm hetimi disiplinor i 5 prokurorëve si dhe inspektimi tematik në disa prokurori.

Ndërkohë, janë përmirësuar edhe rregulloret standard të prokurorive të shkallës së parë dhe të apelit me juridiksion të përgjithshëm, me qëllimin sigurimin e efikasitetit në organizimin, drejtimin dhe kontrollin e punës në çdo prokurori. Tashmë rregulloret krijojnë garancitë e duhura për prokurorët në ndarjen në seksione dhe lëvizjen e tyre, duke siguruar njëkohësisht specializimin e tyre si dhe pavarësinë në ushtrimin e e funksioneve. 

Në kuadër të bashkëpunimit dhe ndërveprimit institucional, fokusi jonë ka qenë në ndjekjen e Rezolutave të Kuvendit të Shqipërisë dhe rekomandimeve të Këshillit të Ministrave në luftën ndaj kriminalitetit. Ky ndërveprim, që fokusohet në bashkërendimin e prioriteteve, është shoqëruar me masa konkrete efektive që kanë ndikuar në përmirësimin e punës së institucionit dhe në impaktin e luftës ndaj krimit. Miratimi për herë të parë i udhëzimit për zbatimin e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave, mundëson uniformizimin e masave në rang insititucional, duke krijuar premisat për rritjen e kohezionit brenda prokurorisë, ndërkohë që siguron një efektivitet më të madh në bashkëveprimin ndërinstitucional. Në këtë kuadër, marrëveshja e nënshkruar në fund të vitit 2020 me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për trajtimin e materialeve referuese, përvec se so të rrisë cilësinë dhe shpejtësinë në trajtimin e tyre, do të ulë edhe ngarkesën e punës për prokurorët. 

Lufta ndaj pastrimit të produkteve të veprës penale dhe krimit financiar kanë qenë ndër prioritetet e Prokurorisë.  Janë të shumta masat e marra në drejtim të forcimit të kapaciteteve institucionale dhe profesionale në luftën ndaj pastrimit të produkteve të veprës penale, krimit financiar dhe goditjes së aseteve kriminale, duke bashkërenduar punën me të gjithë institucionet ligjzbatuese të përfshira, si në krijimin dhe konsolidimin e një kornize normative të unifikuar edhe për koordinimin në nivel qendror e vendor.


Bashkëpunimi e koordinimi ndërmjet prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK) është i një rëndësie thelbësore për goditjen e krimit të organizuar dhe identifikimin e vënien përpara përgjegjësisë të çdo bashkëpunëtori në veprimtarinë kriminale. Akti i Koordinimit Institucional mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-ut, do të ndihmojë në bashkërendimin dhe unifikimin e disa veprimtarive administrative dhe procedurale ndërinstitucionale, duke respektuar veçoritë dhe kompetencat institucionale të parashikuara në ligj. 

Ndërkaq janë nënshkruar memorandume bashkëpunimi edhe me Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive, me synim standartizimin e marrëdhënieve në kuadër të referimeve nga këto institucione, rritjen e cilësisë së tyre si dhe sigurimin e bashkëpunimit në të gjitha fazat e procesit, duke rritur kështu efikasitetin tonë në fushat përkatëse të ndërveprimit me këto dy institucione. 

Objektiv mbetet dixhitalizimi i plotë i sistemeve të brendshme të komunikimit në funksion të hetimit dhe gjykimit. Në bashkëpunim me partnerët tanë kemi nisur një proces të vlerësimit të sistemit aktual me qëllim kalimin në një fazë më të avancuar të operimit në një sistem të përbashkët të sistemit të drejtësisë, të aftë të komunikojë me sistemet e tjera. Qëllimi ynë final është ndërtimi i një sistemi te menaxhimit të rasteve si bazë për krijimin e dosjes elektronike. Mbledhja e provave në këtë formë përmes komunikimit me sistemet e tjera operative në institucionet shtetërore dhe organizmat private do të ulë kohën e hetimit, do të shkurtojë shpenzimet administrative dhe do të rrisë efikasitetin. 

Është tashmë e njohur se në të gjitha prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka e po krijohen në vazhdimësi vakanca të përkohshme e të përhershme kryesisht për shkak të rivlerësimit kalimtar. Ndaj, përveç plotësimit me prokurorë nga Shkolla e Magjistraturës, janë të domosdoshme miratimi i hartës së re gjyqësore e shoqëruar me përmirësimet në infrastrukturë nëpërmjet rritjes të kapaciteteve akomoduese. Ndërkohë, nga ana jonë janë marrë masa të vazhdueshme për të rritur efikasitetin e policisë gjyqësore, edhe përmes mbikqyrjes dhe forcimit të llogaridhënies. Shtimi i numrit të oficerëve të policisë gjyqësore dhe rritja e efiçensës në punën e tyre do të ndikojë në përballimin e situatës së krijuar me vakancat e prokurorëve. 

Përveç sa më sipër, duhet të theksoj se institucionet tona kanë detyrimin e koordinimit dhe bashkërendimit të veprimtarisë së tyre, ndaj është thelbësore që Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si organi përgjegjës për karrierën e prokurorëve, ashtu si dhe Prokurori i Përgjithshëm, të japin kontributin e vet në drejtim të përmbushjes së funksioneve kushtetuese të prokurorisë, përmes bashkërendimit të punës me Prokurorin e Përgjithshëm, i cili nga ana  e tij ka detyrimin ligjor për të siguruar ushtrimin normal të kompetencave ligjore e kushtetuese të institucionit. Bashkëveprimi i të dy institucioneve është i domosdoshëm për mbarëvajtjen e sistemit të prokurorisë në këto rrethana aspak normale. Komandimi I prokurorit të Eurojust apo koordinimi në rastin e emërimeve të magjistratëve të rinj, janë raste që tregojnë potencialet e qasjeve konstruktive në komunikimin ndërinstitucional. 
    
    Sfidat që na presin janë të shumta dhe ato shtrihen në disa plane. E rëndësishme është të mos humbim fokusin nga objektivat që I kemi vënë vetes kur ndërmorëm këtë reformë. Rritja e perfomancës së organeve të drejtësisë në këtë konfigurim jo pak të komplikuar institucional kushtëzohet në një masë të rëndësishme nga  ndërveprimi pozitiv mes tyre. Ne duhet të tregojmë largpamësinë dhe fleksibilitetin e duhur për të ecur përpara përmes një vështrimi kritik ndaj asaj çfarë kemi bërë deri tani dhe se çfarë mund të bëjmë më mirë në të ardhmen. Destinacioni ynë final është funksionimi I shtetit ligjor dhe rikthimi I besimit të publikut tek drejtësia dhe na përket ne detyra për të arritur aty.   

cela- min drejtesise


cwla-spak

cela klp