Njoftime për Shtyp

Trajnime për Sistemin e Menaxhimit të Rasteve në Prokurori

 

Prokurorë dhe oficerë të Policisë Gjyqësore zhvillojnë trajnime mbi aplikimin e Sistemit të Menaxhimit të Rasteve, një projekt i delegacionit të Bashkimit të Europian në Shqipëri, në ndihmë të modernizimit të Prokurorisë


Prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore dhe staf i administratës së strukturave të ndryshme të Prokurorisë Shqiptare kanë zhvilluar për një javë trajnimin mbi përdorimin e Sistemit të Menaxhimit të Rasteve (Case Management). Ky projekt është i financuar nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri dhe synon modernizimin e përpunimit të informacionit në institucionin e Prokurorisë.

Aktualisht, Sistemi i Menaxhimit të Rasteve (SMR) ka përfunduar fazën pilot dhe pritet që në fillim të vitit 2015 të implementohet plotësisht në të gjitha strukturat e Prokurorisë Shqiptare.
Seancat trajnuese për përdorimin e këtij projekti elekronik u zhvilluan në datat 13-17 Tetor 2014 në ambjentet e Prokurorisë së Përgjithshme prej ekspertëve të kompanisë së kontraktuar nga delegacioni i Bashkimit Europian për impelementimin e SMR-së.
Grupi i parë i punonjësve të trajnuar do të jenë baza që do të trajnojë më tej të gjithë stafin e Prokurorisë në të gjithë njësitë e saj në nivelin bazë deri në nivelin qëndror.

Sistemi i Menaxhimit të Rasteve është një ndër projektet më të rëndësishëm në përpunimin e informacionit në Prokurorinë Shqiptare. Nëpërmjet tij, institucioni do të ketë mundësi të përpunojë të dhënat në kohë reale, të standartizohen përpilimi i akteve proceduriale, si edhe të rritet kontrolli i strukturës qëndrore mbi cilësinë dhe shpejtësinë e hetimit nga prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore në të gjithë Shqipërinë.

Data 13.10.2014