Njoftime për Shtyp

Vdekja e turistes ruse në Ksamil, Prokuroria e Sarandës “arrest me burg” për autorin e dyshuar të aksidentit ujor

Prokuroria e Sarandës kërkon caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" me afat 45 ditë, me qëllim pritjen e aktit të ekspertimit, për shtetasin E. F., i dyshuar se mund të jetë ai personi që ka goditur për vdekje me mjet lundrues "skaf" shtetasen ruse, 16 vjeç, ngjarje e ndodhur në dt. 21.07.2017 në Ksamil. Kërkesa e Prokurorisë u mbështet nga ana e Gjykatës së Sarandës.

Në bazë të veprimeve proceduriale të deritanishme, rezulton se:
Mesditën e së premtes, dt. 21.07, shtetasja ruse K.R. dhe nëna e saj, kanë hyrë për t'u larë në zonën e ishujve të Ksamilit. Vajza është larguar me not nga nëna e saj dhe i ka humbur nga shikimi. Pak minuta më vonë është konstatuar se vajza pluskonte e pa jetë në ujë. Ky fakt është konstatuar nga disa turistë të tjerë, të cilët kanë njoftuar policinë dhe më pas, në vendngjarje është afruar me not edhe nëna e vajzës.

Pas kryerjes së autopsisë, rezultoi se viktima kishte disa gërvishtje të thella në pjesën e kokës, si edhe në pjesën anësore të trupit, të cilat i kanë shkaktuar vdekjen.
Grupi hetimor, i drejtuar nga Prokuroria e Sarandës, ka krijuar dyshimet se vajza mund të jetë goditur nga një prej mjeteve lundruese që lëvizin në atë zonë.
Janë kqyrur një numër i madh varkash dhe skafesh që shërbejnë për transportin e turistëve nga bregu për në drejtim të ishujve të Ksamilit.
Nga kqyrja rezulton se, në helikën e skafit që drejtohej pa liçensë shërbimi nga shtetasi E. F., u gjetën disa fije floku, të ngjashme për nga ngjyra më ato të viktimës 16-vjeçare.

Janë pyetur disa persona, përfshirë edhe personin e dyshuar. Ky i fundit deklaron se ka lëvizur me skaf në orën që ka ndodhur ngjarja, por mohon të jetë përgjegjës për incidentin e rëndë, duke u shprehur se, nëse do të kishte goditur të ndjerën, do e kishte ndjerë dhe do të merrte masa për t'i ardhur në ndihmë.
Në bazë të të dhënave të deritanishme, Prokuroria e Sarandës ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi E. F. mund të ketë goditur për vdekje me mjetin lundrues turisten ruse.

Por, për të arritur në përfundime më të sakta nëse është pikerisht ky shtetas (E.F.) autor i veprës penale të parashikuar nga neni 85 i K.Penal, duhet të bëhet një vlerësim më i saktë vetëm pasi të kryhen aktet e ekspertimit mjeko/ligjor për të përcaktuar kategorinë e dëmtimeve dhe shkakun e vdekjes së viktimës, si edhe akti i ekspertimit biologjik i kampionëve dhe provave të tjera materiale të gjetura tek mjeti i tij lundrues dhe të sekuestruara prej policisë gjyqësore, për të përcaktuar në mënyrë shkencore nëse ato përputhen dhe i përkasin ose jo viktimës. Pra, për të përcaktuar saktësisht nëse është pikërisht ky shtetas (E. F.) subjekti i veprës penale me pasojë vdekjen e shtetases ruse. Vetem pas këtij momenti të procesit hetimor do të bëhet një vlerësim më i saktë i rrethanave të faktit.
Për këto arsye, nga ana e Prokurorisë së Sarandës është kërkuar caktimi i masës së sigurimit "arrest me burg" me afat, në pritje të përgjigjeve shkencore.