Njoftime për Shtyp

Vendimet unifikuese të trajtojnë problematikën në parim, jo për raste konkrete

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, e vlerëson se angazhimi i Gjykatës së Lartë për vendime unifikuese për rastet e personave të veçantë mund të jetë objekt i interferimeve të natyrave të ndryshme.


Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, është i sigurt se Gjykata e Lartë i ka kapacitetet për të siguruar standartizimin e praktikës gjyqësore në Republikën e Shqipërisë, por diçka e tillë mund të arrihet vetëm nëpërmjet vendimeve unifikuese për çështje problematike në parim.

Në takimin “Gjykimi penal dhe unifikimi i praktikës gjyqësore”, zhvilluar nga Gjykata e Lartë ditën e Enjte (në datë 16.04.2015), z. Llalla u shpreh, ndër të tjera se: “Në gjykatat e niveleve më të ulta, shpesh hasen problematika, të cilat kërkojnë ndërhyrje me vendime unifikuese. Është konstatuar se, në shumicën absolute të rasteve, Kolegjet e Bashkuara angazhohen kur çështjet në diskutim shfaqen gjatë një rasti konkret gjykimi.

Prokuroria Shqiptare e konsideron të rëndësishme që Gjykata e Lartë të ndërhyjë me vendime unifikuese për çështje në parim. Në këtë mënyrë, Kolegjet e Bashkuara shmangin interferencat e mënyrave të ndryshme për rastet konkrete. Ne të gjithë jetojmë në Shqipëri, ku numri i popullsisë është i vogël dhe mundësia për interferime të natyrave ekstraligjore është i konsiderueshëm. Për këtë arsye, Prokuroria i sugjeron Kolegjeve të Bashkuara që të trajtojnë çështjet para se ato të paraqiten në Gjykatën e Lartë me emra konkret të të pandehurve.”

Në vijim është fjala e plotë e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla:

Pak javë më parë, në një tjetër takim të zhvilluar nga Gjykata e Lartë, aktorët kryesorë të sistemit të drejtësisë, diskutuan mbi rëndësinë e vendimeve unifikuese.

Prokuroria Shqiptare e vlerëson shumë të rëndësishëm diskutimin mbi këtë temë, me qëllimin kryesor standartizimin e praktikës gjyqësore. Tashmë, një numër i madhe institucionesh janë angazhuar për të hartuar reformën në drejtësi, e cila përfshin ndërhyrjet ligjore dhe strukturore. Të gjitha këto amendime që janë në fazën e diskutimeve, duhet të shoqërohen domosdoshmërisht me aplikimin e standarteve të njëjta në vendimet e gjykatës. Çdo vullnet pozitiv do të humbiste vlerën e tij, nëse në gjykata standartet çështjet e ngjashme do të trajtoheshin në mënyra të ndryshme.

Në këtë drejtim, Gjykata e Lartë ka një rol shumë të rëndësishëm për të standartizuar praktikën gjyqësore. Dhe, në vlerësimin e Prokurorisë, standartizimi i vendimeve duhet të aplikohet plotësisht fillimisht në kolegjet penale të Gjykatës së Lartë dhe të vijojë më tej në shkallët më të ulta të gjyqësorit.

Kolegjet penale shërbejnë si një barometër kryesorë për gjyqtarët në Republikën e Shqipërisë sa i përket vendimeve në rastet e proceseve kundër krimit dhe korrupsionit. Për këtë arsye, trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë duhet të mbajë gjithnjë parasysh se vendimet e tyre kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në politikën penale në Shqipëri.

Po ashtu, duke e ditur se kemi mirëkuptimin e të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme e sheh të nevojshme që të japë sugjerimet e saj për forcimin e rolit të Kolegjeve të Bashkuara në unifikimin e praktikës gjyqësore.
Në gjykatat e niveleve më të ulta, shpesh hasen problematika, të cilat kërkojnë ndërhyrje me vendime unifikuese. Është konstatuar se, në shumicën absolute të rasteve, Kolegjet e Bashkuara angazhohen kur çështjet në diskutim shfaqen gjatë një rasti konkret gjykimi.

Prokuroria Shqiptare e konsideron të rëndësishme që Gjykata e Lartë të ndërhyjë me vendime unifikuese për çështje në parim. Në këtë mënyrë, Kolegjet e Bashkuara shmangin interferencat e mënyrave të ndryshme për rastet konkrete. Ne të gjithë jetojmë në Shqipëri, ku numri i popullsisë është i vogël dhe mundësia për interferime të natyrave ekstraligjore është i konsiderueshëm. Për këtë arsye, Prokuroria i sugjeron Kolegjeve të Bashkuara që të trajtojnë çështjet para se ato të paraqiten në Gjykatën e Lartë me emra konkret të të pandehurve.

Sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka 20 vjet që po shënon progres, krahasuar me të kaluarën e afërt të saj. Por të gjithë jemi të bindur se kemi ende shumë rrugë për të bërë në përmbushje të standarteve perëndimore. Anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë një përvojë të madhe në shkallët më të ulta të sistemit të drejtësisë dhe i njohin problematikat. Pra, besojmë se i kanë të gjitha mundësitë që vendimet unifikuese t’i marrin për çështje në parim dhe jo të impenjohen për emra të përveçëm, pasi një vendim i diktuar mund të ndikojë drejtëpërdrejtë në të gjithë sistemin gjyqësor dhe të vijojë të mbajë të ulët perceptimin e publikut ndaj institucioneve të drejtësisë.

Të nderuar pjesëmarrës, duke ju vlerësuar për vëmendjen, e ritheksoj se diskutimi për vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë është një temë që kërkon shqyrtim nga të gjithë aktorët, për të gjetur zgjidhjet më të mira për sistemin ligjor dhe publikun shqiptar. Ju faleminderit!