Njoftime për Shtyp

Vjedhja e veprave të artit, Prokuroria e Fierit dërgon për gjykim 4 persona

Prokuroria e Fierit përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim 4 persona, të akuzuar se kanë vjedhur vepra arti në zonën arkeologjike të Apollonisë.

Nga  të dhënat hetimore rezulton se, më datë 11.02.2017, rreth orës 15:30,  shërbimet e policisë gjyqësore pranë DVP Fier, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe vëzhgimeve të kryera në Zonën Arkeologjike të Apollonisë, në fshatin Kryegjatë, Fier, kanë kapur në flagrancë të pandehurit Alket Fasko dhe Eduart Fasko duke bërë gërmime të paligjshme arkeologjike në vendin e ndodhur pranë varrezave të lashta, ndërsa në një distancë më të largët ka qenë duke punuar i pandehuri Saimir Fasko, i cili kishte në dorë një pajisje metalkërkuese.

 Ndërsa, punonjësit e policisë kanë qenë duke u afruar tek këta persona për t’i ndaluar, ata janë larguar me vrap në drejtim të pyllit. Në këto kushte, shërbimet e policisë gjyqësore kanë bërë ndjekjen personave të lartpërmendur duke shkuar për kontroll në banesat e tyre ku kanë gjetur disa objekte arkeologjike. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ku janë kapur në flagrancë të pandehurit, janë konstatuar disa gropa të hapura si pasojë e gërmimeve, ku një pjesë e tyre janë mbuluar me degë shkurresh  për t’i fshehur ato.

Punonjësit e policisë kanë shkuar për kontroll në banesën e të pandehurit Alket Fasko, ku kanë gjetur vëllain e tij, të padehurin Toni (Ermir) Fasko, i cili jeton në të njëjtën banesë.
Në total, nga kontrolli i banesës së personave nën hetim Alket Fasko dhe Toni Fasko janë gjetur rreth 265 sende, përfshirë qeramika, poçe, qype, maja heshtash, etj.

Nga akti i ekspertimit vlerësues në fushën e arkeologjisë i Ministrisë së Kulturës konkludohet se, të gjitha objektet arkeologjike përbëjnë trashëgimi kulturore dhe janë autentikë antikë.
Për sa më sipër, provohet se të pandehurit Toni (Ermir) Fasko, Saimir Fasko, Alket Fasko dhe Eduart Fasko kanë konsumuar plotësisht elementë të veprës penale të “Vjedhja e veprave të artit e kulturës” e kryer në bashkëpunim  e parashikuar nga neni 138/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Deri në përfundim të hetimeve paraprake, nuk u bë i mundur arrestimi i shtetasve Alket Fasko dhe Eduart Fasko.