Njoftime për Shtyp

Votimet 2015”, Prokuroria e Përgjithshme nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve

Prokuroria e Përgjithshme garanton se do të monitorojë procesin elektoral për pushtetin vendor, duke hetuar me përparësi çdo vepër të mundshme penale që cënon zgjedhjet e lira, të cilat përbëjnë thelbin e demokracisë.

Për të pasur efektivitet në këtë drejtim, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, nxit angazhimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por edhe të qytetarëve e medias që të shtojnë forcën identifikuese dhe bashkëpunuese për referimin e veprave penale që lidhen me zgjedhjet e lira.

Z. Llalla shprehur qëndrimin e institucionit që drejton gjatë ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), zhvilluar ditën e Hënë, datë 18.05.2015.


Për Prokurorin e Përgjithshëm, “zgjedhjet janë një proçes shumë i rëndësishëm në jetën politikën e sociale të vendit dhe për këtë arsye duhet që çdo institucion të kryejë plotësisht detyrën e tij për të siguruar mbarëvajtjen e tyre”.

Z. Llalla, duke paraqitur angazhimin e Prokurorisë për monitorimin e proceseve elektorale, u shpreh se “tashmë është krijuar një praktikë pune që, gjatë fushatave zgjedhore dhe sidomos ditën e votimit, hartohet një grafik të posaçëm për të monitoruar zgjedhjet sa u përket evidentimit të incidenteve, hetimin, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve që cënojnë rrjedhën normale të tyre”.

Kodin Penal Shqiptar ka një seksion të veçantë ku parashikohen veprat penale që prekin zgjedhjet e lira. Për Prokurorin e Përgjithshëm, “hetimi i plotë e gjithanshëm dhe në kohë reale i tyre ka një rëndësi shumë të veçantë, pasi kryerja e këtyre veprave penale godet thelbin e demokracisë së një shteti, zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.

Duke falenderuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për ndërmarrjen e iniciativës për nënshkimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit, Prokurori i Përgjithshëm përfundoi fjalën e tij në ceremoninë përkatëse me bindjen se “vetëm nëpërmjet bashkëpunimit proaktiv do të dëshmojnë të gjithë së bashku vendosmërinë për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe forcimin e demokracisë në vend”.