Njoftime për Shtyp

Zbulohet skema abuzive e transferimit të pacientëve nga Onkologjiku në spitalet private me qëllime përfitimi, Prokuroria Tiranë jep masa sigurie për 7 mjekë e specialistë

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë kërkoi masa sigurie për shtatë mjekë e specialistë të Qendrës Spitalore Universitare nën akuzë për veprat penale ‘Shpërdorim Detyre’. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mjekët, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT.

Pas finalizimit me sukses të operacionit “Rrugëtimi” në kuadër të të cilit u ndaluan 16 shtetas gjatë sekuestrimit të barnave personave të ndaluar, u zbulua se disa prej barnave janë medikamente për përdorim spitalor, specifikisht në departamentin e onkologjisë.

Veprimet hetimore të mëtejshme në bashkëpunim me Seksionin e Luftës Kundër krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, si dhe veprimet proaktive duke përfshirë përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren, blerjet e simuluara, ashtu edhe me veprime të hapura hetimore, zbuluan rastet e pacientëve të ndryshëm, të cilëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe drejtoheshin në klinika private.

Po kështu, nga ana e Prokurorisë u arrit të dokumentohen raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore rezultoi se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tomorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.

Që të përdoret Kobalto Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjensia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushtetve teknike. Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vetë personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emëton kjo pajisje.

Për këto arsye, u kërkua në Gjykaten e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe u miratua caktimi i masave të sigurisë për shtetasit:

E.G. (Mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal. Masa e sigurisë “arrest në shtëpi”;

E.L. (Koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K. Penal. Masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” neni 234 i K.Pr.Penale;

A.Y. (Mjekë pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal. Masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqsore” neni 234 i K.Pr.Penale;

B.Q. (ish Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal. Masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqsore” neni 234 i K.Pr.Penale;

D.K. (Ish specialist pranë QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal. Masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” neni 234 i K.Pr.Penale;

H.G. për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180/1 i K.Penal. Masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” neni 234 i K.Pr.Penale; dhe

F.M. për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” të parashikuar nga nenet 178 e 179 i K.penal. Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” neni 237 i K.Pr.Penale.