Njoftime për Shtyp

“Gjobisnin” tregtarët në Shkodër, Prokuroria për Krime të Rënda dërgon për gjykim 7 persona

Prokuroria për Krime të Rënda ka dërguar për gjykim 7 persona nga Shkodra, të akuzuar se, nëpërmjet formës së grupit të strukturuar kriminal, u vendosnin gjoba tregtarëve në zonën e Zdrales dhe të Kirasit.

Të pandehurit ushtronin aktivitetin e tyre kriminal, duke i bërë presion bizneseve të vogla për t’u dhënë shumat që varion nga 1000-3000 lekë të reja në muaj.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda akuzon për veprën penale të “Shtrëngimit me anën e kanosjes për marrjen e pasurisë”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes se veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, shtetasit, si më poshtë:
1. Muhamet Lici
2. Abedin Bajraktari
3. Denis Skutina
4. Fatmir Dibra
5. Gëzim Vajushi
6. Besmir Domnori
7. Redi Bardhej
Fillimisht, u hetuan edhe dy shtetas të tjerë, por që në përfundim nuk rezultoi e provuar përfshirja e tyre.
Prokuroria për Krime të Rënda, nisi hetimin, në bazë të materialit referues të Drejtorisë së Policisë Vendore, Shkodër. Hetimet janë kryer në bashkëpunim me forcat e policisë dhe, në bazë të tyre, rezultoi se:

Shtetasit e mësipërm janë banorë të qytetit të Shkodrës dhe të njohur midis tyre.  Këta shtetas qëndrojnë me njëri-tjetrin një pjesë të madhe të kohës dhe komunikojnë në mënyrë të vazhdueshme me telefon.
Në formën e një grupi të organizuar kriminal, nëpërmjet dhunës psikologjike dhe kanosjes për ushtrimin e dhunës fizike, këta shtetas kanë detyruar tregtarët e zonës së quajtur Rruga e Gjërë e Kirasit dhe Tregu i Zdrales Shkodër që të paguajnë shuma monetare çdo muaj prej. 
Këto veprime i kryenin ose nëpërmjet komunikimeve telefonike me tregtarët ose nëpërmjet takimeve.  Pasi i kanë shtrënguar që të pagujnë ata mbledhin në ditët e fundit të çdo muaji ose fillimin e muajit shuma nga 1000 deri 3000 lekë të reja. 
Në krye të këtij Grupi të strukturuar Kriminal, ne rolin e organizatorëve qëndrojnë shtetasit Muhamet Lici dhe Abedin Bajraktari.

Të pandehurit e tjerë, Denis Skutina, Gëzim Vajushi, Fatmir Dibra dhe Besmir Domnori, janë antarë të Grupit të Strukturuar Kriminal, njëkohësisht lidhje të ngushta shoqërore dhe që japin infomacion të vazhdueshem tek Muahameti apo Abedini, për të gjitha veprimet që kryejnë në kuadrin e veprimtarisë kriminale, por edhe mbi lëvizje të punonjësve të policisë në zonën e influencës së tyre, apo dhe për persona të panjohur, automjete që janë pranë tyre apo deportojnë në zonën ku ata banojnë dhe ushtrojnë aktivitet.

Njëkohësisht këta shtetas në ditët e fundit të çdo muaji kalojnë në lokalet, apo dyqanet, në tregun Zdrale Shkodër duke mbledhur lekët, fakt ky i dokumentuar dhe me anë të filmimit dhe fotografimit nga sherbimet operacionale, duke raportuar dhe dorëzuar lekët e mbledhura tek drejtuesit e grupit.