Njoftime për Shtyp

“Lufta kundër abuzimit me energji elektrike ka rëndësi kombëtare”


Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me zv.kryeministrin, z. Niko Peleshi, njëkohësisht drejtues i Task- Force për përmirësimin e nivelit të arkëtimeve dhe uljen e nivelit të humbjeve në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike
 
 
Prokuroria e Përgjithshme bashkohet me shqetësimin e Qeverisë për dëmin e madh ekonomik që i shkaktohet shtetit shqiptar nga abuzimi me energjinë elektrike të bizneseve dhe qytetarëve të ndryshëm dhe angazhohet maksimalisht për forcimin e mëtejshëm të luftës tashmë të nisur tashmë për goditjen e këtij fenomeni.
 
Kjo është një garanci e shprehur nga Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë Shqiptare dhe Task-Force së Këshillit të Ministrave për humbjet dhe arkëtimet e energjisë elektrike, njësi e posaçme e ngritur me VKM nr. 1086, dt. 14.12.2013, përfaqësuar nga Zëvendëskryeministri, z. Niko Peleshi.
 
Në fjalën e tij në këtë aktivitet, ku ishin të pranishëm Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, ministri i Industrisë dhe Energjitikës, Ministri i Brendshëm dhe zyrtarë të tjerë, z. Llalla theksoi se “lufta kundër këtij fenomeni kërkon një dorë të fortë dhe prokuroria shqiptare do të vijojë linjën e ashpër me çdo biznes dhe qytetar që abuzon me energjinë elektrike, e cila ka një rëndësi të veçantë ndërkombëtare”.
 
Sipas Marrëveshjes së Bashkëpunimit, Prokuroria, në bazë të kompetencave që i atribuohen sipas parashikimeve të Ligjit Nr. 7905 datë 21.03.1995 "Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë"  dhe Ligjit Nr.8737 date 12.02.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, do të hetojë me prioritet kallëzimet penale të CEZ Shpërndarje mbi konsumimin e veprave  penale të vjedhjes së energjisë elektrike dhe të aseteve të rrjetit të shpërndarjes.
 
Po ashtu, Prokuroria e Përgjithshme do të ndërmarrë  iniciativën për miratimin e disa  udhëzimeve të veçanta që do të orientojnë prokuroritë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore për realizimin e veprimeve hetimore të plota e gjithëpërfshirëse, duke  shfrytëzuar ekspertizën teknike e profesionale, në rastet e hetimit të veprave penale të vjedhjes së energjisë elektrike dhe shkatërrimit të rrjetit elektrik.

13.01.2014