Njoftime për Shtyp

“Policia e Shtetit ka mbështetjen e plotë të organit të Prokurorisë”

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në Analizën Vjetore 2012 të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë


I nderuar Ministër i Brendshëm, z. Noka
I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, z. Burgaj
Të nderuar të pranishëm

Ju faleminderit për ftesën dhe ju shpreh konsideratën time për punën e Policisë së Shtetit gjatë vitit 2012.
Forcat e policisë janë të parat që përballen me krimin, në të gjitha format e tij dhe kjo është një sfidë e përditshme, e cila kërkon vendosmëri dhe zbatim rigoroz të ligjit. Jemi të gjithë të bindur se Ju përballoni sfida të rëndësishme, shpesh me rrezikshmëri të lartë për jetën tuaj, të qytetarëve dhe të interesave të ligjshme të shtetasve. Pikërisht, kjo puna Juaj duhet të gjejë mbështetje nga të gjithë institucionet e tjera ligjzbatuese. Ndër bashkëpunëtorët e tuaj, natyrisht që rol primar ka organi i prokurorisë.

Prokuroria e Përgjithshme e ka prioritet ndër prioritetet bashkëpunimin me Policinë e Shtetit. Vetëm falë koordinimit të shpejtë dhe të shpeshtë do të jemi të suksesshëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Dy institucionet tona janë në qendër të vëmendjes së opinionit për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike. Pra, qytetarët presin që Policia e Shtetit dhe Prokuroria të ruajnë dhe forcojë ndërveprimin.

Viti 2012, në opinionin tim, ka pasur histori të rëndësishme suksesi në këtë drejtim. Falë bashkëpunimit, është arritur që të zbulohen dhe vendosen para përgjegjësisë ligjore persona me precedentë penalë dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore. Gjithashtu, së bashku kemi arritur të konfiskojmë pasuri në miliona euro, të prejardhura nga aktivitete kriminale dhe trafiqe të paligjshme. Edhe në fillimin e vitit 2013 ka pasur raste të suksesshme të bashkëpunimit dhe shpreh bindjen se kjo frymë mirëkuptimi dhe koordinimi do të vijojë edhe në periudhën në vijim.

Në kontaktet që kam zhvilluar me trupën e prokurorëve, kam dhënë porosi që të trajtojnë në mënyrë të veçantë komunikimin institucional me Policinë e Shtetit, duke e vlerësuar si partnerin prioritar në realizimin e qëllimit madhor, luftën kundër kriminalitetit në Shqipëri.

Të nderuar kolegë,
Duke ju falenderuar edhe njëherë për ftesën në Analizën e vitit 2012, ju shpreh garancitë maksimale se organi i Prokurorisë do të jetë aleati dhe mbështetësi Juaj kryesor në sfidat për forcimin e shtetit ligjor në vendin tonë.

Ju faleminderit!

Data 01.02.2013