Njoftime për Shtyp

“Qëllimi ynë është që drejtësia të bëhet dhe të ndihet nga publiku”

Kryeprokurorja znj.Arta Marku në analizën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Prokurorisë së Apelit Shkodër


“Qëllimi ynë është që drejtësia të bëhet dhe të ndihet nga publiku”


“Sot prokurori i çështjes është Zot i çështjes, andaj kërkohet që gjithsecili të angazhojë kapacitetet e veta profesionale për të rritur efektivitetin në ushtrimin e ndjekjes penale si dhe rritjen e performancës në përfaqësimin e akuzës në gjykatë.
Kushtim i vëmendjes më të madhe duhet të jetë në hetimin e krimeve kundër jetës dhe shëndetit, korrupsionit, lëndëve narkotike dhe trafikut të drogës, që janë të ndjeshme dhe me ndikim në rrethin e Shkodrës.

Të rritet besimi i publikut nëpërmjet përmirësimit të vazhdueshëm të qasjes së prokurorit ndaj tërë opinionit shoqëror, njëherazi jo vetëm me performancë në hetimin dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq, por edhe të komunikimit me vetë njerëzit për aq sa është e lejueshme në veprimtarinë e prokurorisë.

Të ecim drejt nxitjes së vazhdueshme të bashkëpunimit me policinë gjyqësore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit që operojnë në rrethin e Shkodrës, publikun dhe operatorë të tjerë që do t’i ndihmonin sadopak kryerjes me sukses të misionit të prokurorisë.
Padyshim që mbështesim me të gjitha mundësitë ngritjen e vazhdueshme profesionale të prokurorëve, aq më tepër në këtë periudhe të zbatimit të paketës së re të reformës në Drejtësi dhe sidomos të drejtësisë penale.

Busulla e çdo prokurori në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjykatë të jetë zbatimi me korrektësi i ligjit, në mënyrë të pavarur, i pandikuar nga çdo lloj ndërhyrjeje nga faktorë të jashtëm apo të brendshëm.
Vetëm kështu, vetëm me këtë rrugë, vetëm me përkushtim dhe vendosmëri mundësohet një procedim i drejtë, i barabartë dhe i rregullt ligjor.
Pikërisht kjo garanton ndjekje penale efektive në hetim, gjykim dhe fazën e ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore.
Qëllimi ynë është që drejtësia jo vetëm të bëhet, por edhe të duket, të mos mbetet abstrakte, të preket dhe të ndihet nga publiku”.