Njoftime për Shtyp

“Rritja e numrit të pafajsive duhet të jetë një këmbanë për çdo prokuror”

Kryeprokurorja znj.Arta Marku në analizën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Apelit Durrës

“Rritja e numrit të pafajsive duhet të jetë një këmbanë për çdo prokuror”

“Prokurorët nuk duhet të ndalen vetëm me hetimin e veprës penale korruptive, por duhet të thellojnë hetimin pasuror të subjektit të veprës penale në lidhje me asetet që kanë në burim të ardhura kriminale nga veprimet korruptive.
Kjo me qëllim jo vetëm ndëshkimin e autorit për krimin e kryer, por dhe sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të krijuara prej tyre.
Qyteti i Durrësit si një nga qytetet porte të vendit tonë rezulton me shumë pak vepra penale në fushën e kontrabandës, ndërkohë që jemi të vetëdijshëm se sjelljet që cënojnë legjislacionin doganor janë të shumta dhe të ndëshkueshme penalisht.

Duhet që edhe kryesisht prokurorët të angazhohen për të evidentuar këto vepra penale në çështjet që hetojnë, duke mos mbetur të kufizuar vetëm në referimet që mund të vijnë nga Policia e Shtetit apo nga vetë doganat.
Konstatohet se ka një ulje të veprave penale kundër jetës, por ka një rritje të agresivitetit nga grupet kriminale në kryerjen e këtyre veprave penale. Autorët në funksion të realizimit të qëllimeve të tyre kriminale janë të gatshëm të sakrifikojnë çdokënd që mund të jetë rastësisht në rrezen e tyre të veprimit.

Kjo vjen nga mosndëshkimi, apo ndëshkimi i lehtë dhe joproporcional me krimin e kryer dhe rrezikshmërinë e autorit.
Veprat penale kundër korrupsionit janë shumë pak të regjistruara dhe aq më pak kanë përfunduar në gjykim.
Rritja e numrit të pafajsive duhet të jetë një këmbanë për çdo prokuror, për rritjen e përgjegjshmërisë në mbledhjen e provave, vlerësimin e tyre dhe ngritjen drejtë të akuzës.
Pavarësia e prokurorit nuk duhet parë si një privilegj dhe e drejtë e pakufizuar e prokurorit për të vendosur fatin e çështjes, por si përgjegjësi, si një obligim i shtuar ndaj zbatimit të ligjit, ndaj institucionit dhe shoqërisë në tërësi.

Politika e dënimit duhet të jetë proporcionale ndërmjet veprës penale, autorit dhe interesit publik. Të mbahet qëndrim i ashpër në masat e dënimit për vepra penale me rrezikshmëri të theksuar shoqërore si dhe ndaj veprave penale sensitive për shoqërinë”.