Njoftime për Shtyp

“Shpërdorim detyre”, kërkesë për gjykim për 4 zyrtarë në Bashkinë Pogradec

“Shpërdorim detyre”, kërkesë për gjykim për 4 zyrtarë në Bashkinë Pogradec
 
Nga hetimi i prokurorisë së Pogradecit, rezulton se zyrtarët lokale dyshohet që kanë shkelur ligjin në hartimin e dokumentacionit për leje ndërtimi
 
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka dërguar kërkesën për gjykim ndaj disa zyrtarëve të Bashkisë së Pogradecit, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre” për miratimin në shkelje të procedurave dhe kondicioneve teknike për disa studime urbanistike dhe leje ndërtimi.
Hetimet janë kryer në bazë të kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), ndërkohë që po vijohen veprimet proceduriale për çështjet dhe zyrtarët, të paraqitura në referimin e KLSH-së, për të cilat është i nevojshëm një hetim më i thelluar.
Bazuar në hetimet e Prokurorisë së Pogradecit, të nisura në vitin 2013, katër zyrtarët, të cilët kanë përgjegjësi të drejtëpërdrejtë për  shqyrtimin e kërkesave për ndërtime dhe ndërhyrje të tjera urbanistike, dyshohet se nuk kanë respektuar parashikimet ligjore. Ndër më kryesorët nga këto shkelje veçohet dhënia e lejes për ndërtimin e një piste shërbimi brenda në liqenin e Ohrit, me sipërfaqe 1200 m2 për një subjekt privat që ushtron aktivitet në fushën e hotelerisë.
Konkretisht, studimi urbanistik pjesor, leja e sheshit dhe e ndërtimit për objektin “Sistemim i bregut para hotelit xxxxxx + pistë shërbimi në liqen”, me sipërfaqe 1200 m2, ishin miratuar në kundërshtim me ligjin  nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”, ligjin nr. 9103, datë 10.07.2013 “Për mbrojtjen e liqeneve ndërkufitare”; ligjit nr. 8093 dt. 21.03.1996 “Për rezervat ujore”, me ndryshime; ligjin nr.8906 date 06.06.2002 “Për zonat e mbrojtura” dhe ligjin nr.9587 date 20.07.2006 “Për mbrojtjen e biodiversitetit”, duke legjitimuar ndërtimin e pistës së shërbimit jashtë kritereve ligjore, studimeve të miratuar nga KRRTRSH-ja, lejeve dhe autorizimeve të Autoriteteve të Mjedisit dhe Ujit, në dem të interesit publik.
Gjithashtu, ka rezultuar se miratimi i studimeve të tjera urbanistike pjesore, lejeve të sheshit dhe të ndërtimit objekt hetimi ishte bërë në shkelje të kërkesave ligjore dhe kondicioneve urbane, sipas rastit, pa respektuar distancat nga objektet, kufiri i pronës, vija e ndërtimit dhe bordura e rrugës; me konsola me mbi 50 % të sipërfaqes brenda bordurës së rrugës; me të dhëna të ndryshme të pamjes së kateve mes planimetrisë dhe lejeve; në shkelje të kufirit të pronës; me distancën zero me dritare; me konsola të dalë me mbi 50 % jashtë kufirit të pronës, në tortuar; me koefiçent të shfrytëzimit të territorit tepër të lartë; me përqindje të garazheve jashtë kritereve urbanistike; me dokumentacion të paplotë më momentin e miratimit të tyre; etj.
Si rezultat i miratimit të këtyre studimeve urbanistike pjesore, lejeve të sheshit dhe të ndërtimit në kundërshtim me ligjin, janë zenë hapësirat publike e private, në dem të mbrojtjes së mjedisit, turizmit, ruajtjes dhe vënies në dukje të vlerave urbanistike dhe arkitekturore të qytetit të Pogradecit dhe interesave të ligjshme të shtetit dhe shtetasve.
Pas hetimeve të kryera, Prokuroria e Pogradecit ka krijuar dyshime të arsyeshme bazuar në prova, se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin nga ana e shtetasve:
-     P. Ziko, me detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanistikës, N/Kryetarit të Bashkisë, anëtarit të Këshillit Teknik dhe KRRT-së Bashkisë Pogradec.
-     E. Vesho, ish Drejtor i Drejtorisë Juridike dhe N/Kryetar i Bashkisë, anëtar i Këshillit Teknik dhe KRRT-së Bashkisë Pogradec.
-     E. Marjani, me detyrën e sekretarit të Sekretarisë Teknike të KRRT-së Bashkisë Pogradec.
-     O Mato, ish anëtare e KRRT-së, me cilësinë e specialistes së mjedisit.
Ndaj këtyre të pandehurve është caktuar edhe masa ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale.

22.12.2013