Njoftime për Shtyp

“Shqipëria ka adaptuar normat e përmirësuara të strategjisë ‘Antimafia’”

“Shqipëria ka adaptuar normat e përmirësuara të strategjisë ‘Antimafia’”

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në konferencën Për Koordinimin Rajonal në Luftën kundër Krimit të organizuar dhe Pastrimit të Parave
     

Të nderuar drejtues të Projektit
Të nderuar përfaqësues të delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë
Të nderuar kolegë dhe të ftuar

Është nder dhe kënaqësi që po hap këtë takim, i cili është një ndër më të rëndësishmit përsa i përket bashkëpunimit dhe koordinimit rajonal e më gjerë në luftën kundër krimit ekonomik dhe pastrimit të parave. Fillimisht, dua të falenderoj që në fillim Bashkimin Evropian, i cili ofron asistencën e tij për luftën kundër pastrimit të parave në Shqipëri, nëpërmjet projektit IPA 2009.

Shqipëria është në radhën e shteteve që ka adaptuar normat e përmirësuara të ligjit “Antimafia”. Ky ligj, i miratuar fillimisht në vitin 2004 nga Kuvendi i Shqipërisë,  pësoi ndryshime të rëndësishme pozitive në vitin 2009. Këto ndryshime janë shoqëruar me efekte konkrete. Falë mekanizmave aktualë ligjorë dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve ligjzbatuese, tashmë Shqipëria ka arritur të zbulojë dhe të vendosë para drejtësisë persona të ndryshëm, të përfshirë në pastrim parash dhe krim të organizuar. Gjithashtu, janë konsoliduar mënyrat e komunikimit ndërkombëtar për të bllokuar pasuri të krijuara nga burime kriminale.

Mund t’ju prezantoj shkurtimisht se, vetëm gjatë muajve të parë të vitit 2013, organet e drejtësisë shqiptare kanë konfiskuar pasuri në disa milionë euro. Këto pasuri me prejardhje kriminale, të investuara kryesisht në imobiliare dhe llogari bankare, janë zbuluar falë bashkëpunimit të ngushtë të strukturave rajonale dhe të disa vendeve të Bashkimit Evropian.

Të nderuar kolegë,
Të gjithë jemi të bindur se krimi i organizuar dhe pastrimi i parave janë sfida globale e kohës së sotme. Ky lloj krimi i tejkalon kufijtë e një shteti të vetëm, madje edhe kufijtë gjeografikë të kontinenteve.
Në kohën e sotme, kur sistemet e komunikimit dhe ato bankare janë ndërlikuar dhe perfeksionuar, krijojnë mundësi të mira për krimin e organizuar të zhvillojë aktivitetin e tij të paligjshëm. Kjo sjellje i vendos shtetet përballë domosdoshmërisë për të reaguar të bashkuar dhe me forcën maksimale të ligjit.

Në këtë kuadër, vlerësohet shumë pozitive organizimi i takimeve të kësaj natyre, si ky i sotmi, në mënyrë që çdo vend të ofrojë ekspertizën e tij në luftën kundër pastrimit të parave. Nga Tirana, ne duhet të japim një sinjal shumë të qartë se jemi të vendosur të përballemi me çdo kosto me krimin e organizuar. Duhet të dëshmojmë se vullneti ynë i përbashkët tejkalon çdo sfidë me të cilën na përballin strukturat mafioze.

Ju falenderoj sërisht që jeni këtu dhe ju uroj punë të mbarë në konferencë.

Ju faleminderit!