Njoftime për Shtyp

“Shteti ligjor forcohet nga bashkëpunimi i të gjithë faktorëve shoqërorë”

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, në takimin me penalistin ndërkombëtare, Sherif Basiuni

Të nderuar të pranishëm

Jam shumë i kënaqur që po zhvilloj këtë takim me zotin Sherif Basiuni, një ndër penalistët më të famshëm në botë.
Profesor Basiuni ka qenë kandidat për çmimin Nobel për Paqe në vitin 1999 dhe lektor e dekan në shumë universitete perëndimore. Gjithashtu, është juristi me biografinë më të gjatë dhe më të pasur profesionale që kam pasur rastin të takoj.

Në emër të prokurorisë, e falenderoj profesor Basiunin që viziton vendin tonë dhe do të ndaj me ne eksperiencën dhe përvojën e tij për forcimin e politikës penale në Shqipëri.
Lufta kundër krimit është një sfidë e vazhdueshme, e cila kërkon vendosmëri, ligje të forta, integritet të institucioneve të drejtësisë dhe bashkëpunim të fortë mes agjencisë ligjzbatuese kombëtare e ndërkombëtare.

Shqipëria në vitin 2002 ka nënshkruar Statutin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, hartuar Romë, i cili ka për objekt të tij forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimeve të rënda që kërcënojnë vlerat më të larta të qytetarëve të botës; jetën, paqen, sigurinë, pavarësinë dhe mirëqënien e përgjithshme.

Nënshkrimi i Statutit ka rritur ndjeshëm bashkëpunimin e institucioneve shqiptare me agjencitë e huaja homologe. Tashmë është thjeshtuar mënyra e komunikimit ndërmjet institucioneve ligjzbatuese dhe është bërë më efikas goditja e krimit në nivel lokal, rajonal e më gjerë. Falë këtij bashkëpunimi të shtuar, drejtësia shqiptare ka pasur arritje në goditjen e krimit që kalon kufijtë e një shteti të vetëm. Angazhimi i vendit tonë në këtë drejtim është vlerësuar pozitivisht edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, ku veçojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, mbetet sfidë e vazhdueshme lufta kundër krimit të organizuar, i cili zhvillon veprimet e tij krahas forcimit të legjislacionit penal. Shqipëria është tashmë një vend i hapur dhe mundësitë për penetrimin e elementit kriminal ndërkombëtar është i madh.

Nga ana tjetër, edhe krimi i brendshëm, është i pranishëm dhe ndikon në opinionin publik. Kohët e fundit jemi dëshmitarë të disa ngjarjeve, që dëshmojnë se elementët kriminalë synojnë të sfidojnë shtetin.

Për këtë arsye, është shumë i nevojshëm përmirësimi dhe perfeksionimi i teknikave të hetimit, të cilat janë veprime ekskluzive të institucioneve të drejtësisë dhe këto struktura janë të angazhuara në forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Faktorë të tjerë të jetës së një vendi, pavarësisht rolit të tyre të pazëvendësueshëm, nuk mund dhe nuk duhet të luajnë rolin e prokurorit apo gjyqtarit. Këta faktorë janë të mirëpritur të ushtrojnë presion pozitiv mbi punën e institucioneve të drejtësisë dhe të jenë bashkëpunues konkret. Por, në disa raste të veçanta, zelli i tepruar për të bërë gjyqtarin apo prokurorin, krahas faktit që mund të dëmtojë hetimet, mund të arrijë deri në atë masë që të këpusë fillin e hollë që ndan etikën me ligjin.

Të gjithë kemi detyrën, së pari qytetare dhe më tej ligjore që të kontribuojmë në ruajtjen dhe forcimin e sigurisë publike. Institucionet e drejtësisë paguhen me taksat e qytetarëve që të dënojnë elementët keqbërës, por edhe çdo faktor i jetës shoqërore ka detyrimin moral të ofrojë mbështetjen e tij.

Këto janë parime në një shtet demokratik, parime globale, që ashtu si edhe të tjera, duhen pranuar sit ë tilla dhe për të cilat do të diskutohet gjatë ditës së sotme në praninë e profesor Basiunit.

Data: 25.03.2013