Njoftime për Shtyp

“Trafiku i personave, riintegrim i viktimave, krahas ndëshkimit të autorëve”

 
Mesazhi i Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, i përcjellë nga Drejtori i Hetimit, z. Adnan Xholi, në seminarin kombëtar “Hetimi dhe ndjekja penale e veprave të trafikimit të personave”
 
I nderuar z. Wilton, zv. Ambasador i OSBE
E nderuar znj. Zv/Ministre e Punëve të Brendshme,
I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë
Të nderuar kolegë dhe të pranishëm
 
 
Ju përcjell përshëndetjet në emër të Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla dhe shprehim vlerësimin tonë për organizimin e këtij takimi.
Trafikimi i qënieve njerëzore është një problematikë e shtrirë në kohë për shoqërinë shqiptare, e cila trajtohet sot si një nga problemet prioritare dhe kërkon gjithnjë një vëmendje të veçantë nga ana e institucioneve shtetërorë dhe faktorëve të tjerë të jetës sociale.
Ligjvënësi e ka vlerësuar këtë vepër penale si “krim të rëndë” dhe kompetenca lëndore për shqyrtimin e këtyre i përket Gjykatës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Gjatë vitit 2013, është konstatuar rritje e procedimeve dhe gjykimeve me këtë objekt, si edhe forcim të politikës penale nga ana e Prokurorisë. Duke e konsideruar si vepër penale, e cila ka ndikim të drejtëpërdrejtë dhe tejet negativ mbi viktimat, por edhe përfitime materiale të mëdha për autorët e tyre, prokuroria është treguar e kujdesshme që të kërkojë jo vetëm maksimumin e dënimit për të pandehurit, por paralelisht, si dhe në bashkëpunim me strukturat përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshmë të Policisë së Shtetit (Sektorin për hetimin e aseteve kriminale), identifikimin me qëllim sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme dhe të drejtave reale mbi to, të regjistruara në emrin e tyre, familjarëve apo dhe personave të lidhur të me to.
Gjithësesi, para se të mbërrijë një çështje në organet e drejtësisë, së pari janë disa hapa paraprakë shumë të rëndësishëm, të cilët duhen vlerësuar nga gjithë institucionet ligjzbatuese.
Shqyrtimi i rasteve të ndryshme pranë Prokurorisë së Krimeve ka konstatuar një problematikë tjetër, për të cilën është e nevojshme bashkëpunimi dhe me organizma të tjerë.
Shumë nga viktimat e trafikimit, në disa raste të gjendur në trysninë e autorëve të veprave penale, kanë vështirësi në bashkëpunimin me autoritetet publike. Natyrisht, dëshmitë e viktimave nuk mund të prevalojnë mbi provat e tjera, por gjithësesi përbëjnë një moment shumë të rëndësishëm për procesin penal.
Në realizimin e detyrave të tij, duke përfshirë dhe mbrojtjen e viktimave prokurori bëhet “bashkëudhëtar’’ me një sërë institucionesh të tjera duke përfshirë dhe OJF-të.
Praktika e viteve të fundit ka nxjerrë në pah, një bashkëpunim të frytshëm me OJF-të, të cilat kanë ndikuar pozitivisht në trajtimin e rasteve të ndyshme në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të viktimave dëshmitarë në proces.
Për këtë arsye, organi i prokurorisë është angazhuar dhe ka forcuar bashkëpunimin, krahas institucioneve të tjera, edhe me organizma joqeveritarë, të cilët mbështesin dhe mbrojnë viktimat e trafikut të personave. Kjo formë bashkëpunimi ka dhënë rezultatet e saj. Për këtë arsye, po përgatiten strategji të veçanta koordinimi, me qëllim riintegrimin e viktimave të trafikut në jetën sociale dhe, ajo që përbën interes për drejtësinë, përfshirjen e tyre aktive në proceset penale kundër autorëve të trafikimit/shfrytëzimit të tyre.
Bashkëpunimi i ngushtë me OJF-të, na krijon lehtësira në kuadër të zbatimit me përpikmëri të ligjit, i cili parashikon një trajtim të posaçëm për viktimën e trafikimit.
Në këto vepra penale, elementi psikologjik i viktimës ka një ndikim të madh në procesin penal. Pikërisht nëpërmjet bashkëpunimit, arrijmë t’u sigurojmë viktimave të trafikimit trajtimin ekonomik kur ata kanë nevojë, si dhe trajtimin psikologjik që është i nevojshëm në çdo moment.
Është pikërisht një nga ato raste klasike ku ligji penal dhe shkencat sociale ndërthuren ngushtë me njëri-tjetrin. Dhe, natyrisht, suksesi në planin psikologjik passjell sukses të mundshëm në planin penal.
Në këtë frymë po zhvillohen tashmë hetimet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, gjithmonë të koordinuara me strukturat përkatëse pranë Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe OJF-të, gjë e cila ka sjellë dhe pritet të evidentojë identifikimin e plotë, arrestimin si dhe dënimin e autorëve të dyshuar për trafikun e qënieve njerëzore.
Duke u mbështetur në statistikat e Prokurorisë për Krime të Rënda për vitin 2013, sa i përket ndëshkimit të këtij fenomeni, rezulton se numri i procedimeve të regjistruara ka pësuar një ritje të ndjeshme,
Gjatë vitit 2013, janë hetuar 42 çështje për trafiqet e qenieve njerëzore, nga të cilat 10 procedime janë mbartur nga vitet e kaluara, si dhe regjistruar të reja 32 procedime.
Për periudhën 1 janar - 31 dhjetor 2013, numri i viktimave është 45, nga të cilët 31 janë gra dhe 14 janë minorenë. Ndërkohë, 24 është numri i të pandehurve që janë hetuar për vitin 2013.
Nuk ka pasur të pandehur të deklaruar të pafajshëm me vendim gjykate
Numri i  viktimave që kanë dëshmuar në gjykatë gjatë vitit 2013 është 5.
Në instrumentet e ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, trafikimi i qënieve njerëzore/trafikimi human, konsiderohet si “një shkelje e të drejtave themelore të njeriut, të dinjitetit dhe të integritetit të qënieve njerëzore”. Ky lloj trafikimi nuk njeh kufinj dhe po bëhet gjithnjë e më tepër një fenomen global në rritje, si dhe asnjë vend apo rajon i botës nuk ka imunitet.
Gjatë vitit 2013, me qëllim goditjen e këtij fenomeni përveç bashkëpunimit me institucionet ligjzbatuse shqiptare, janë zhvilluar hetime të përbashkëta të suksesshme dhe me autoritetet e huaja (Zvicrën dhe Gjermaninë), si dhe shprehim gatishmërinë dhe angazhimin e palëkundur për të bashkëpunuar në vijimësi me gjithë homologët e vendeve të rajonit dhe më gjerë, me qëllim parandalimin, identifikimin dhe ndëshkimin e këtij fenomeni.
Duke e vlerësuar sërish ftesën në këtë takim, ndajmë të njëjtin qëndrim me të pranishmit e tjerë se kjo vepër penale duhet goditur fort, bashkërisht dhe në mënyrë të pandërprerë.
 
Ju faleminderit për vëmendjen
 

Data 23.01.2014