Njoftime për Shtyp

“Veprimtaria kriminale e narkotikëve nuk zhvillohet e vetme, pa mundësinë e korruptimit edhe të zyrtarëve publikë, në hallka kyçe të strukturave të shtetit”

Kryeprokurorja znj.Arta Marku në analizën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe Prokurorisë së Apelit Vlorë

“Veprimtaria kriminale e narkotikëve nuk zhvillohet e vetme, pa mundësinë e korruptimit edhe të zyrtarëve publikë, në hallka kyçe të strukturave të shtetit”

“Vlora, tashmë prej kohësh, njihet si një vend prodhues i cannabisit, jo aq i drogave të tjera sintetike, por edhe si një vend i rëndësishëm tranziti për në vendet e Europës, specifikisht favorizuar nga linja e gjatë bregdetare.
Duhet forcim i  bashkëpunimit mes policisë, autoriteteve policore kufitare dhe autoriteteve doganore, me qëllim frenimin e trafikimit, identifikimin, gjetjen dhe vënien para drejtësisë të shkelësve të ligjit.
Duhet koordinim i  veprimeve mes të gjithë aktorëve në luftën kundër narkotikëve dhe shkëmbim i informacionit në kohën e duhur, me shpejtësinë dhe cilësinë e duhur mes tyre.

Duhet mosngutje në përfundimin e operacioneve të organizuara në luftën kundër drogës, duke vënë në pranga shpesh vetëm konsumatorët, shpërndarësit e vegjël, korrierët apo mjetet e transportit, por bërja e përpjekjeve dhe shfrytëzimi i çdo metode të mundshme ligjore hetimi dhe shfrytëzimi i bashkëpunimit ndërkufitar dhe ndërkombëtar, për të mundësuar identifikimin, kapjen me qëllim vënien para drejtësisë të organizatorëve të grupeve kriminale.

Veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve nuk zhvillohet e vetme, pa mundësinë e korruptimit edhe të zyrtarëve publikë, në hallka kyçe të strukturave të shtetit. Kjo, duke nisur që nga përfaqësuesit e pushtetit vendor që ometojnë të sinjalizojnë kur konstatojnë mbjelljen e  bimëve narkotike në territorin e njësisë administrative ashtu edhe të funksionarëve të tjerë, që mund të ofrojnë kundrejt korrupsionit, ndihmën e tyre në hallkat që përbëjnë zinxhirin e trafikimit të lëndëve narkotike.

Nxisim zhvillim të hetimit duke nisur nga identifikimi i pasurisë në drejtim të gjetjes së burimit dhe veprimtarisë kriminale.
Sekuestrim dhe konfiskim i të mirave të personave të përfshirë në aktivitete kriminale që kanë të bëjnë me prodhimin, shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Duhet përqendrim i burimeve njerëzore dhe teknike, specializim i tyre, përkushtim në kryerjen e detyrës, në luftë kundër narkotikëve, specifikisht në vende kufitare siç është Vlora.
Vlora karakterizohet nga falsifikimi masiv i dokumentave, për vetë pozicionin gjeografik dhe interesin e madh të tokave me destinacion turistik, me qëllim shtënien në dorë të pasurive që i përkisnin shtetit apo të tretëve.
Kjo bëhet evidente edhe në sekuestrimet e vendosura mbi pasuri të ndryshme të paluajtshme dhe të luajtshme.
Të verifikohen dhe hetohen deri në origjinë, transaksionet e kryera mbi pronat.
Të zbatohen edhe në këtë drejtim sekuestrimet dhe konfiskimet përkatëse, me qëllim parandalimin e transferimit të pronave apo të të mirave të tjera të përftuara.
Me ndryshimet e reja, në rastet e pafajsisë, Gjykata e Apelit nuk mund të deklarojë fajtor një person kur Shkalla e Parë e ka deklaruar të pafajshëm vetëm mbi bazën e vlerësimit të ndryshëm të provave të marra në gjykimin në Shkallën e Parë”.