Njoftime për Shtyp

Fjala e Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela mbajtur në aktivitetin në kuadër të Ditës Kombëtare të Drejtësisë

Dita e sotme vlen të jetë një moment reflektimi për të vlerësuar cfarë kemi bërë deri më sot, nëse kemi arritur t’u ofrojmë qytetarëve një sistem drejtësie të besueshëm.  

I besueshëm dhe efikas është ai sistem që mbështetet tek integriteti, meritokracia dhe llogaridhënia, me magjistratë të aftë dhe kurajozë, që përballen me krimin në të gjitha dimensionet dhe nivelet e tij! 

Vizioni jonë institucional është shprehur në një strategji të qartë bashkëpunimi e bashkëveprimi me organet ligjvënëse dhe ato ligjzbatuese, ku pa dyshim një vëmendje e posaçme i është kushtuar angazhimit ndaj institucioneve të reja të drejtësisë si dhe sigurimit të instrumentave të duhur për mirëfunksionimin e prokurorisë. Të gjitha masat e marra kanë synuar që njëkohësisht të jenë në harmoni dhe të forcojnë pavarësinë e prokurorëve. 

Nga ana tjetër, për asnjë çast nuk mund të lihet jashtë vëmendjes fakti që paralelisht me forcimin e pavarësisë së prokurorëve të rritet edhe përgjegjshmëria e tyre! Rrjedhimisht mbetet thelbësor forcimi i mekanizmave të monitorimit, kontrollit dhe disiplinës! 

Vlerësoj se modeli i bashkëveprimit ndërinstitucional duhet të perfeksionohet më tej, përmes konsolidimit të mekanizmave që ekuilibrojnë përgjegjësitë e organeve të drejtësisë në raport me funksionin e tyre kushtetues e ligjor. Transparenca dhe llogaridhënia janë sfida permanente dhe garanci në mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës, prandaj mbetet thelbësor një vështrim kritik konstant ndaj funksionimit të infrastrukturës së re ligjore e institucionale.

Kemi ende një rrugë të gjatë për të arritur atje ku duam, ndaj sot, në Ditën Kombëtare të Drejtësisë dua t’i drejtohem me një thirrje të gjithë magjistratëve e jo vetëm, që të bëhen realisht pjesë e këtij procesi transformues që ka nisur me reformën në drejtësi, përmes angazhimeve e kontributeve serioze në përmbushjen e funksioneve të tyre. 
 
Gëzuar Ditën Kombëtare të Drejtësisë! / Ju faleminderit!

foto drejtesia takim