Njoftime për Shtyp

Memorandum bashkëpunimi mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit për intensifikimin e luftës kundër veprave penale të kryera nga punonjësit e administratës publike në Shqipëri

Memorandum bashkëpunimi mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit për intensifikimin e luftës kundër veprave penale të kryera nga punonjësit e administratës publike në Shqipëri


Tiranë, 24 shtator 2020. Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z.Arben Shehu nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit mes dy institucioneve, përmes të cilit angazhohen të intensifikojnë luftën kundër veprave penale të kryera nga punonjësit e administratës publike në Shqipëri.

Përmes këtij memorandumi dy institucionet angazhohen të rrisin bashkëpunimin për shkëmbimin e informacioneve me qëllim evidentimin e saktë të shkeljeve, që përbëjnë vepër penale në fushën e administrimit të fondeve publike, administrimit të pronës publike dhe privatizimit të saj.

Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z.Arben Shehu vlerësuan gjatë takimit të përbashkët se niveli i lartë i shpërdorimeve të fondeve publike është kthyer në një shqetësimit serioz për vendin dhe opinionin publik shqiptar, duke u angazhuar për një reagim të menjëhershëm nga ana e dy institucioneve. 

Dy drejtuesit shprehën vullnetin maksimal për bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes dy institucioneve, duke nisur nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme me përgatitjen e një metodike të posacme hetimi lidhur me hetimin e veprave penale të kryera nga punonjësit e administratës publike. Nga ana e saj KLSH angazhohet të zhvillojë një metodologji lidhur me procedurat e hetimit administrativ dhe të referimit në prokurori të veprave penale.

Institucionet do të organizojnë takime të përbashkëta periodike ndërmjet punonjësve të KLSH-së, prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore të specializuar për hetimin e veprave penale në fushën e krimit ekonomik, me qëllim shkëmbimin e opinioneve dhe eksperiencave për kuptimin, interpretimin dhe zbatimin e drejtë të rasteve për të cilat bëhet kallëzimi penal, të cilat janë objekt i punës së dy institucioneve.

2

5