Njoftime për Shtyp

Përfaqësues të institucioneve të drejtësisë të vendeve të Azisë Qendrore zhvillojnë vizitë studimore në Prokurorinë e Përgjithshme

Një grup përfaqësuesish të institucioneve të drejtësisë të vendeve të Azisë Qendrore (Republika e Kirkistanit, Kazakistanit dhe Uzbekistanit), zhvilluan një vizitë studimore në Prokurorinë e Përgjithshme në kuadër të projektit “Migracioni i Sigurt në Azinë Qendrore (SMICA, 2019-2024)”. 

Të pranishëm ishin edhe Znj. Mariana Meshi, Drejtore Ekzekutive e organizatës “Të Ndryshëm & Të Barabartë”, në cilësinë e personit të kontaktit dhe nga Prokuroria e Përgjithshme, Z. Kostaq Beluri, Prokuror, Znj. Juna Pampuri Koordinatore e Viktimave dhe Znj. Blerina Lule, Koordinatore e Viktimave. 

Pjesëmarrësit u njohën me organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë Shqiptare, ndërsa u vu theksi në bashkëpunimin që Prokuroria e Përgjithshme ka me të gjitha strukturat shtetërore dhe organizatat jo fitimprurëse të cilat punojnë në luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore. Të pranishmit, mundën të shkëmbenin eksperienca të ndryshme mbi trajtimin e rasteve në vendin e tyre dhe u informuan sesi këto raste hetoheshin dhe trajtoheshin në institucionet e drejtësisë shqiptare.

Shqipëria u përzgjodh për këtë vizitë studimore si një vend që ka zhvilluar modele dhe një praktikë shumë të mirë të zbatimit të Mekanizmit Transacional të Referimit të Trafikimit të Qënieve Njerëzore.