Njoftime për Shtyp

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela takon Kreun e Zyrës së KiE në Tiranë, Giulia Re, siguria e gazetarëve në fokus

Prokurori i Përgjithshëm z.Olsian Çela dhe Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj.Giulia Re, u takuan sot për të diskutuar mbi çështje që lidhen me sigurinë e gazetarëve, duke u fokusuar në forcimin e kapaciteteve institucionale në hetimin e këtyre çështjeve. 
Gjatë takimit Prokurori i Përgjithshëm theksoi rritjen e angazhimit institucional të prokurorisë në këtë drejtim, duke e konsideruar si një nga prioritetet në punën e prokurorisë. 
Nga ana e Kreut të zyrës së Këshillit të Europës, u shpreh vullneti për të vazhduar mbështetjen e prokurorisë në drejtim të trajnimit të mëtejshëm të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore, sa i përket lirisë së shprehjes dhe sigurisë së gazetarëve, aktivitete që organizohen në kuadër të projektit të përbashkët mes Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës ‘Mbrojtja e lirisë së shprehjes dhe medias në Shqipëri’. 
Në takim u ra dakord për nevojën e thellimit të koordinimit dhe bashkëpunimit mes palëve në të ardhmen.