Njoftime për Shtyp

Prokuroria e Shkodrës, godinë e re, koncept i ri hetimi

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, përuron ndërtesën e re të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe përcakton prioritetet e kësaj njësie në hetim: luftë kundër krimit ekonomik që pasohet me krime të rënda dhe fenomenit të gjakmarrjes


Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, i shoqëruar nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjori dhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, z. Nicholas Cannon Obe ishin pjesë e ceremonisë së përurimit të godinës së re të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, një ndër objektet infrastrukturore më të mira të institucionit, i ndërtuar me fondet e buxhetit të shtetit.

Z. Llalla, në fjalën përshëndetëse në këtë takim, u shpreh se “kjo godinë nuk është thjesht një ndërtim i ri, por është një konceptim i ri i procesit hetimor dhe tashmë prokurorët e Shkodrës kanë të gjitha mundësitë teknike dhe teknologjike për të zhvilluar hetime cilësore dhe në një kohë sa më të shpejtë”.
Duke u ndalur tek problematikat kriminale në rrethin e Shkodrës, z. Llalla kërkoi nga trupa e prokurorëve që të thellohen hetimet lidhur me përplasjet ekonomike, të cilat gjenerojnë më pas konflikte me pasoja të rënda për jetën.

Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm vlerësoi angazhimin e trupës së prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore të Shkodrës, të cilët u angazhuan për të krijuar një panoramë të qartë të fenomenit të gjakmarrjes në këtë zonë. Sipas z. Llalla, “rezulton se numri i personave të ngujuar është shumë herë më i vogël se sa ajo që deklarohet shpesh herë publikisht.  Sipas raportit të detajuar të Prokurorisë së Shkodrës, i cili është dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se është marrë kontakt i drejtëpërdrejtë me mbi 200 familje në të gjithë Qarkun, të cilat kanë qenë të përfshira në konflikte me pasojë vrasje prej vitit 1990. Në bazë të kontakteve të drejtëpërdrejta, janë gjetur në ngujim vetëm 25 familje me 30 persona gjithsej”.

Më poshtë është fjala e plotë e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla në këtë aktivitet:

Të nderuar kolegë,
Fillimisht, edhe në emrin Tuaj, i shpreh falenderimet për praninë e tij në këtë aktivitet Kryetarit të Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjori, Ambasadorit te Mbreterise se Bashkuar z.Nicholas Cannon, i cili jo rastësisht është i pranishëm sot këtu.  Lidhja e tij me qytetin e Shkodrës është tepër e vecantë.
Falendëroj gjithashtu përfaqësuesit e pushtetit lokal si dhe strukturat e tjera shtetërore të Qarkut Shkodër.

Siç e shihni, këtë takim po e zhvillojmë në godinën e re të Prokurorisë, e cila është ngritur me financimin e buxhetit të shtetit në një kohë shumë të shkurtër,  brenda vitit kalendarik 2014.  Në fakt, nuk bëhet fjalë thjesht për ngritjen e një ndërtese të re, por për një koncept të ri që përcjell në punën e përditshme.  Ambjentet e reja krijojnë të gjitha mundësitë që prokurorët të zhvillojnë aktivitetin e tyre me efikasitet më të lartë. 
Nga ana tjetër, edhe qytetarëve u krijohen të gjitha lehtësitë për të marrë informacion, për t’u dëgjuar dhe për të diskutuar mbi të gjitha problematikat e tyre.

Në aspektin hetimor, në këtë godinë të re, janë krijuar të gjitha mundësitë teknike për të siguruar një hetim të plotë, të shpejtë dhe të saktë.  Ky investim në Prokurorinë e Shkodrës, më së pari është ndihmesë e rëndësishme për hetimin e veprave penale qe ndodhin ne territorin tuaj, duke ndjekur me prioritet hetimin e veprave penale kunder kundër jetës, krimit dhe korrupsionit, hetimi i cili duhet te vijojë te jete gjithnje edhe me i forte.

Sa i përket aktivitetit hetimor të Prokurorisë së Shkodrës për vitin 2014, së pari shpreh vlerësimin për angazhimin tuaj në përgjithësi.  Nga analiza e përcjellë nga ana e Drejtuesit të Prokurorisë konstatohet se, ashtu si në çdo prokurori tjetër, ka pasur një rritje të ndjeshme të volumit të punës. 
Ka pasur disa hetime nga ana e kësaj prokurorie, të cilat e kanë shndërruar në disa momente në qendër të vëmendjes së opinionit publik.

Por ndërkohë, është e qartë se Shkodra, për shkak të burimeve të saj, ka qenë dhe vijon të jetë zonë ku përplasen interesa të mëdha ekonomike, por edhe kriminale. Për këtë arsye, ju përcjell si porosi kryesore thellimin e hetimeve në fushën e krimit ekonomik, të cilat kanë sjellë dhe vijojnë të sjellin përplasje të forta me pasoja të rënda penale.  Hetimet në këtë drejtim janë prioritet i Prokurorisë së Shkodrës dhe do të jetë kërkesa kryesore e Prokurorit të Përgjithshëm për aktivitetin tuaj gjatë periudhës në vijim.
Për të rritur efikasitetin e hetimeve, e ritheksojmë qëndrimin për bashkëpunim shumë të ngushtë me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe veçanërisht me Policinë e Shtetit, Sherbimin Informativ Shteteror,Tatimet, Doganat etj.
***
Në vijim, dua të ndalem në një tjetër çështje. Gjatë vitit 2014, ndër të tjera, ju keni zhvilluar një aktivitet specifik sa i përket evidentimit të rasteve të gjakmarrjes dhe ngujimit në këtë zonë. Prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë se Shkodres kanë marrë kontakte të drejtëpërdrejta me familjet e përfshira në këtë fenomen arkaik në qarkun e Shkodrës.  Falë angazhimit tuaj, për herë të parë kemi një panoramë të qartë të numrit të personave të ngujuar nga frika e gjakmarrjes.

Dhe, nga kjo panoramë, rezulton se numri i personave të ngujuar është shumë herë më i vogël se sa ajo që deklarohet shpesh herë publikisht.  Sipas raportit të detajuar të Prokurorisë së Shkodrës, i cili është dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se është marrë kontakt i drejtëpërdrejtë me mbi 200 familje në të gjithë Qarkun, të cilat kanë qenë të përfshira në konflikte me pasojë vrasje prej vitit 1990. Në bazë të kontakteve të drejtëpërdrejta, janë gjetur në ngujim vetëm 25 familje me 30 persona gjithsej.

Ky raport, i cili mund të vlerësohet ndër më seriozët të përgatitur nga institucionet shtetërore për fenomenin e gjakmarrjes, ka shërbyer edhe si bazë për bashkëpunimin më të ngushtë me autoritetet e huaja, me qëllim goditjen e rasteve të “azilkërkuesve të rremë” shqiptarë në Europën Perëndimore.
Gjithësesi, nga ana juaj është shumë e rëndësishme të hetohen të gjitha rastet e krimeve me pasojë vdekjen. Jo thjesht për faktin se këto konflikte mund të pasohen me ngujim, por më së pari për të bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të siguruar të drejtën kryesore të njeriut – jetën.

Të nderuar kolegë,
Në përfundim te fjales sime dua t’ju nxis që të jeni më aktiv në hetime.  Ne jemi të gjithë prokurorë dhe e kemi marrë përsipër me vullnetin tone te kryejme këtë detyrë. Pavarësisht nga volumi i lartë i punës nuk duhet të lejojmë që kjo të ndikojë në cilësinë e hetimeve dhe vendimarrjen në përfundim të procesit.
Qytetaret presin nga ne hetime te plota e te gjithanshme te veprave penale dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që të përmbushim këtë pritshmëri te tyre.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Data 20.02.2015