Njoftime për Shtyp

Takim Llalla-Zaganjori për Vendimet Unifikuese të Gjykatës së Lartë

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjori, diskutojnë me prokurorë lidhur me bashkëpunimin në rritje për standartizimin e praktikës gjyqësore dhe hetimore penale.


Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjori, mbështet idenë e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, për ndërhyrje ligjore, në të cilën të parashikohet iniciativa e organit të akuzës për të vënë në lëvizje Kolegjet e Bashkuara për marrjen e vendimeve unifikuese në fushën penale.

Kjo ide, e cila fillimisht u artikulua në z. Llalla në datë 02.02.2015, në aktivitetin e promovimit të botimit të “Përmbledhjes së vendimeve unifikuese në vitet 2000-2014, konsiderohet nga z. Zaganjori si një element shumë i rëndësishëm për bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, me qëllim konsolidimin e praktikës gjyqësore dhe eleminimin e standarteve të ndryshme për çështje të ngjashme.

Diskutimet e përbashkëta ndërmjet z. Llalla dhe z. Zaganjori mbi këtë temë u zhvilluan ditën e Hënë (dt. 23.02.2015), gjatë promovimit të botimit mbi Vendimet Unifikuese para trupës së prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme.

Z. Llalla e vlerësoi përmbledhjen e vendimeve unifikuese si “një ndër botimet më seriozë në fushën e jurisprudencës shqiptare të viteve të fundit dhe një bazë shumë e rëndësishme në punën e juristëve, prokurorëve e gjyqtarëve”.

Nga ana e tij, z. Zaganjori u shpreh gjatë takimit se, “i bëj ftesë eksperiencës së prokurorëve për të kontribuuar në forcimin e rolit të vendimeve unifikuese, si edhe për të harmonizuar praktikat gjyqësore dhe hetimore shqiptare me standartet bashkëkohore europiane”.

 

Data 23.02.2015