Njoftime për Shtyp

Zhvillohet procedura e testimit për 9 prokurorë të rinj

Të paktën 45 kandidatë, kryesisht oficerë të policisë gjyqësore, u përfshinë të Enjten (dt. 29.10.2015) në testimin për prokurorë të rinj, të cilët do të plotësojnë 9 vende vakante në disa prokurori të nivelit bazë.

Testimi për rekrutimin e prokurorëve të rinj zhvillohet në dy faza. Në fazën e parë, konkurentët i nënshtrohen testimit teorik me shkrim, proces i administruar nga një Komision i Posaçëm, i përbërë nga prokurorë që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Në përfundim, kandidatët që kanë marrë më shumë pikë, do të zhvillojnë një seancë dëgjimore para Këshillit të Prokurorisë, proces i cili do të zhvillohet ditën e Premte (dt.30.10.2015). Në përfundim të testimit me dy faza, Këshilli i Prokurorisë do t’i paraqesë Prokurorit të Përgjithshëm listën e kandidatëve që kanë marrë më shumë pikë, listë e cila do t’i përcillet Presidentit të Republikës për dekretim.

Pak para nisjes së testimit teorik, i cili u zhvillua në ambjentet e Prokurorisë së Tiranës, kandidatët u përshëndetën nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla.
Prokurori i Përgjithshëm, duke iu uruar sukses të gjithë kandidatëve, konstatoi se numri i konkurentëve ishte i lartë dhe kjo, sipas z.Llalla, “dëshmon se gara do të jetë e fortë. Shumë prej jush kanë përvojë të gjatë profesionale me hetimin dhe besoj se aftësitë tuaja do të jeni në gjendje që t’i prezantoni edhe në një stad më të lartë profesional, atë të prokurorit”.

Sa i përket mënyrës së testimit, z. Llalla u shpreh se “bazohet në Udhëzimin përkatës të Prokurorit të Përgjithshëm, për të cilin është dhënë paraprakisht pëlqimi i Këshillit të Prokurorisë. Në vlerësimin tonë, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë që kanë asistuar në hartimin e Udhëzimit, kjo mënyrë është më e mira e mundshme për të rekrutuar në prokurorinë shqiptare individët më të aftë”.

Në përfundim të fjalës së tij, z. Llalla u shpreh para konkurentëve se, “dua t’ju garantoj që, në përfundim të këtij testimi, prokurorë do t’ju bëjnë vetëm aftësitë Tuaja. Për organizatorët e testimit dhe Prokurorinë e Përgjithshme, kriteri i vetëm për rekrutimin e prokurorëve të rinj janë aftësitë individuale të gjithësecilit prej Jush”.

Testimi zhvillohet për vende vakante për prokurorë në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore Dibër, Sarandë, Mat, Pukë, Tropojë, Kurbin, Gjirokastër, Kukës dhe Krujë.